Ekonomi

Paketa Fiskale 2023/ Gjobat e bizneseve dhe akciza e birrës debate te Komisioni i Ekonomisë

Nga Gazeta ‘SI’ – Në komisionin e Ekonomisë vazhdon shqyrtimi i Paketës Fiskale për vitin 2023, ku rritjet e gjobave për bizneset dhe akciza e birrës kanë qenë në fokus të debateve midis deputetëve.

Ndryshimet në ligjin “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, u shpreh se gjobat që parashikohen të dhjetëfishohen për bizneset nuk është mënyra e duhur për të ulur informalitetin dhe përdorimin e cash-it në ekonomi.

“Nëse gabimi bëhet dy herë ju thoni se biznesi do të gjobitet 10 herë më shumë. Kjo është e dëmshme për biznesin. Qeveria bisedon amnistinë për evazorët dhe do të gjobisni tatimpaguesit. Ekonomia informale nuk luftohet me gjoba, por duke ngritur një sistem që nuk lë hapësirë për informalitet. Në këto tetë vite ka dështuar sistemi i tatimit”, – u shpreh deputetja Tabaku, duke përmendur se përdorimi më i lartë i cash-it ndodh në sektorin e ndërtimit, ku bëhet fjalë për vlera të larta dhe në pikat valutore.

Edhe për deputetin socialist, Erion Braçe gjobat janë shqetësimi kryesor, por sipas tij, po targetohet grupi i gabuar. “Biznesi i madh do të gjobitet për shmangie të pagesës së TVSH-së ose mos nxjerrje të faturës, por atë nuk e pranon biznesi i vogël. Me rritjen e çmimit, biznesi i vogël mund të kalojë tavanin e taksës dhe nuk e pranon faturën nga biznesi i madh”, – u shpreh deputeti.

Ministrja e Financave, Delina Ibrahimaj, tha se është përdorur kjo rrugë për gjobat pasi, kostot e shtuara për biznesin e madh do të ndalojnë shmangien e faturave për biznesin e vogël.

“Kemi vendosur limit arke për bizneset deri në 150 mijë lekë që mund të rishikohet në një fazë të dytë. Pasuritë e paluajtshme bëhen me transferta bankare dhe jo cash. Dhjetëfishim është vetëm gjoba për bizneset korporative, pra të mëdha. Jo ato të vogla” – sqaroi Ibrahimaj.

Ndryshimet në ligjin për “Akcizat”

Në ndryshimet e ligjit të akcizës, fokusi i debatit ishte unifikimi i saj për prodhimin e birrës. Deputeti socialist Vullnet Sinaj në një replikë me ministren Ibrahimaj, sqaroi se asnjë prodhues vendas nuk i arrin 200 mijë hektolitër birrë në vit dhe se sipas përllogaritjeve, për një shishe birrë, kosto e akcizës shkon 5.5 lekë.

Ibrahimaj u shpreh se nga përllogaritjet e MFE, akciza do të shkojë 2.3 lekë/shishe nga 1.2 që ishte. “Ne po e dyfishojmë dhe prap më e ulëta në Europë. Nga diferencimi i akcizës nuk kanë bërë evazion vetëm prodhuesit vendas, por edhe importuesit, që deklaronin më pak se 200 mijë hl dhe shmangnin detyrimin”, -tha ministrja.

Pyetjes së deputetit Braçe se pse nuk vendoset akcizë për pijet energjike që përmbajnë kafeinë, ministrja tha se nuk mund të bëhet sepse edhe Coca Cola ka kafeinë e nuk mund të futet në akcizë.

Ndryshimet në ligjin “Për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë”

Lidhur me paketën 2023, Deputeti Erion Braçe pyeti ministren se deri ku do të arrijë autofaturimi dhe përjashtimi nga TVSH-ja, në rastin e bursës së energjisë si edhe pse vazhdon përjashtimi i banesave të dyta apo të treta nga TVSH-ja dhe i mbështet buxheti.

Deputeti i Partisë Demokratike, Bujar Leskaj i sugjeroi ministres Ibrahimaj që nga TVSH-ja të përjashtohet edhe libri dhe mallrat lidhur me të.

Ministrja e Financave, përmendi se autofaturimi apo autongarkesa është sugjerim i hershëm i FMN-së dhe se po mendohet të futet edhe në sektorin e ndërtimit.

“Kjo ka funksionuar. Po e konsiderojmë ta bëjmë dhe në ndërtim, por do të thotë ndryshim shumë i madh. Në bursë do të bëhet më ngadalë, pasi edhe ajo nis funksionimin pas muajit nëntor. Është ërkesë e BE dhe donatorëve, sepse ka pasur problematika. FMN propozon dhe TVSH-në për shtëpitë e dyta apo të treta, por ne nuk kemi një regjistër për të dhe duhet të krijohet. Vitin e ardhshëm do të punojmë për taksën e pronës. Aty mund të krijohet një regjistër”, – u shpreh Ibrahimaj.

Për TVSH-në e librit, ministrja tha se është 6% sepse subjektet që i shesin ato, e kanë kërkuar këtë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë