Gazeta Si – Ish-kryebashkiaku i Lezhës Fran Frrokaj, është dorëzuar në polici pas disa orësh arrati, teksa mëngjesin e kësaj të premteje u dënua me 3 vite burg për shpërdorim detyre dhe tjetësim prone.
Pas vendimit nga Gjykata e Apelit në Shkodër për pronat në zonën e Ranës së Hedhur në Shëngjin, policia e Lezhës i kishte shkuar në banesë Frrokajt, por pa mundur ta arrestojnë.
Burime paraprake, bëjnë me dije se ka qenë Policia e Lezhës ajo që ka negociuar me ish-kryebashkiakun, duke bërë që ai të dorëzohet vetë në komisariat, pasi u arratis nga Gjykata e Apelit të Shkodrës pasi mësoi vendimin.
Ai ndodhet në ambjentet e Drejtorisë Vendore të Policisë dhe ish-zyrtari i lartë lokal ka mohuar se ishte arratisur.
Frrokaj ka qenë i dënuar me detyrim paraqitje dhe mesditën e sotme është paraqitur në gjykatën e Shkodrës së bashku me avokatin e tij për t’u njohur me vazhdimin e gjyqit.
Gjykatësja ka ndërruar masën e sigurisë në “arrest me burg” ndaj ish kryebashkiakut, por nuk ka njoftuar policinë e Shkodrës për arrestimin e tij.
Sapo Frrokaj ka mësuar vendimin, ka dalë nga gjykata pa u shqetësuar, duke lënë vetëm avokatin e tij në sallë dhe është larguar drejt shtëpisë së tij në Lezhë.
Ish-kryebashkiaku i Lezhës Fran Frrokaj dhe ish-kryetari i Qarku Gjok Ndoka u dënuan me nga 3 vite burg, ndërsa Gjykata e Shkallës së Parë në Lezhë i kishte dënuar me nga 4 vite burg.
Trupa gjykuese e kryesuar nga gjyqtari Tonin Sterkaj i gjeti fajtor për vepren penale “Shpërdorim Detyre”.
Gjykata gjeti fajtor dhe 16 zyrtarë e qytetarë të përfshirë në tjetërsimin e 234 mijë metrave tokë në bregdetin e Ranës së Hedhun në Shëngjin, por duke bërë disa ndryshime nga vendimi i dhënë nga Gjykata e Shkallës së Parë.
Ndërsa për 13 personat e tjerë, Apeli la në fuqi vendimet e Gjykatës së Shkallës së parë Lezhë e cila i kishte dënuar nga 1 deri në 3 vite burg.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




