Gazeta Si - Deputetja e Partisë së Lirisë, Monika Kryemadhi për më shumë se dy orë ka qëndruar në SPAK, ku pohoi se ka dorëzuar prova të reja për vjedhjen e parave për inceneratorin e Elbasanit.
Pas daljes prej andej, ajo tha se ishte thirrur nga prokurorët e posaçëm për verifikimin e dokumenteve të dorëzuara dhe hodhi sërish akuza se me këtë aferë janë grabitur 7.1 miliardë lekë me fatura fiktive.
“Unë sot jam thirrur në SPAK, si një nga kallëzueset e inceneratorit të Elbasanit për të verifikuar dokumentacionet dhe për të shtuar prova të tjera që administrohen dhe t’i shtohen inceneratorit të Elbasanit, - u shpreh Kryemadhi, e cila hyri në godinë me një dosje të kuqe në duar. - Ajo që është e rëndësishme në këtë proces, është ai i verifikimit të dosjes së incvenertatorëve”.
Kryemadhi shtoi se “nuk është çështja e një individi, por te sistemi që ka çuar deri në grabitje të parave të qytetarëve”.
Pyetjes se çfarë përmbanin dokumentet e dorëzuara këtë të premte, Kryemadhi iu përgjigj: “Ajo çka është shumë e rëndësishme dhe ne duhet të kuptojmë të gjithë është se një nga arsyet kryesore në të cilat ky proces, pra i verifikimit dhe hetimit të dosjeve të inceneratorit të Elbasanit, Fierit apo dhe Tiranës, është se nuk është çështje vetëm e një individi, por e gjithë sistemit që ka funksionuar në administrimin dhe grabitjen e parave të qytetarëve shqiptarë. Sot paraqita disa prova të tjera që kanë të bëjnë me mashtrimin dhe vjedhjen e parave të inceneratorit të Elbasanit", tha ajo.
Ish-kryetarja e LSI-së hodhi sërish akuza se “nga një projekt i financuar prej 22 milionë eurosh nga qeveria shqiptare, 7.1 miliardë lekë janë grabitur me fatura fiktive dhe fryrje punimesh. Kallëzimi është siç është Lefter Koka Alqi Bllako dhe Engjëll Agaçi”.
Prej kohësh Monika Kryemadhi, Partia e Lirisë dhe Sali Berisha kanë denoncuar qeverinë në lidhje me aferën e madhe të inceneratorëve.
Për këtë çështje ndodhet në burg prej disa muajsh në pritje të gjykimit ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka, pjesë e LSI-së në atë periudhë.
Ndërsa do të hetohet në masën e sigurisë "arrest shtëpie" ish-sekretari i tij dhe ish-deputeti socialist, Alqi Bllako.
Prej mesit të dhjetorit 2021 janë në kërkim aksionerët e incineratorit Stela Gugallja dhe Klodian Zoto, të dyshuar, për kryerjen e veprave penale “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim, si dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo i veprimtarisë kriminale”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.