Kombetarja

Reja inkurajon të rinjtë pas miqësores me Arabinë: Treguan vlera

Gazeta Si – Pas miqësores me Arabinë Saudite, ku Shqipëria barazoi 1-1, trajneri Reja foli me entuziazëm për paraqitjen e skuadrës. Kuqezinjtë luajtën në këtë ndeshje testuese me lojtarë të kampionatit shqiptar dhe disa elementë nga ekipi A.

Trajneri italian tha për ‘Fshf.org’ se djemtë treguan vlera përballë një skuadre që merr pjesë në Botëror. “Ishte një ndeshje interesante, kemi luajtur ndaj ekipi që ka treguar vlera të mira në fushë. Bëmë një ndeshje shumë të mirë, me përqendrimin e duhur, djemtë punuan shumë mirë, duke krijuar 4 ose 5 raste për gol, për të mos harruar një penallti të padhënë nga gjyqtari ndaj Skukës.

Ekipi duke bere nxemjen para ndeshjes. Gazeta Si, 27 tetor 2022

Duke marrë në konsideratë vlerat e Arabisë Sauditë, kemi bërë një paraqitje të mirë dhe duhet t’u bëj komplimente djemve për seriozitetin që treguan. Kam marrë indikacione të rëndësishme nga kjo ndeshje dhe kam mbajtur shënim emrat e disa lojtarëve për të ardhmen.

Miqësore të tilla janë të rëndësishme për të fituar eksperiencë dhe për të nxjerrë konkluzione. Kemi edhe një miqësore të tretë në nëntor, ku do të testojmë pjesën më të madhe të lojtarëve që kisha në këtë grumbullim. Pres përmirësime të mëtejshme në aspektin e lojës, mbi të gjitha për problemin e zakonshëm të konkretizimit të manovrave në fazën ofensive.

Ndaj Arabisë nga 5 raste të paktën duhet të kishim shënuar 2 ose 3 gola, sepse kishim raste të mira. Gjithsesi, më pëlqeu fakti që në pak ditë stërvitje bashkë djemtë ishin shumë të përqendruar për të bërë detyrën e tyre. Kishim ekuilibër në skuadër. Kemi bërë mirë në aspektin taktik, sidomos në mbrojtje. Për këtë arsye duhet t’i komplimentoj protagonistët”, – u shpreh Reja.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë