Tirana zyrtare nuk pranon kërkesën e Greqisë për të zhvilluar hetime të përbashkëta me autoritetet shqiptare për ngjarjen e Bularatit ku u vra nga forcat RENEA, minoritari Kostandinos Kaçifas.
Ambasadorja e Greqisë në Shqipëri, Eleni Surani u thirr të martën në Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme për ngjarjen e ndodhur në Bularat, Gjirokastër dhe njohur për qëndrimin e shtetit shqiptar.
Një ditë pasi Athina zyrtare thërriti ambasadoren shqiptare, Adriana Hobdari ku u paraqit qëndrimi i qeverisë greke mbi ngjarjen në Bularat për vrasjen e ekstremistit të djathtë, Kostandin Kaçifas, ka qenë radha e Tiranës zyrtare të reagojë në lidhje me kërkesat e paraqitura nga ana e shtetit fqinj.
Sipas njoftimit të MEPJ-së shqiptare ambasadores greke iu komunikua pozicioni i qartë i autoriteteve shqiptare lidhur me çështjen në fjalë.
“Ambasadores iu theksua se ngjarja e rëndë po hetohet nga Prokuroria Shqiptare. Ky institucion është autoriteti i vetëm që në bazë të kushtetutës dhe legjislacionit penal shqiptar kryen hetim të pavarur për çdo vepër penale që ndodh në territorin e Republikës së Shqipërisë”, thuhet në njoftimin për shtyp.
Më tej theksohet se Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme përsëriti thirrjen për maturi dhe mos ngjyrime politike e diplomatike të kësaj çështje, duke siguruar se Shqipëria është vend i sigurt e i qetë për të gjithë shtetasit e saj, përfshirë pa asnjë dallim ata me kombësi greke.
Ambasadorja jonë në Athinë, Hobdari në deklaratat e dhënë për media ka sqaruar se në takimin e thirrur në Ministrinë e Jashtme greke ka mohuar se ka pasur një notë proteste ndaj Shqipërisë.
“Nuk është e vërtetë që unë mora një notë proteste, por më kërkuan vetëm sqarime nga ministria e Jashtme. Është një takim diplomatik që ministria na kërkon që të shkojmë dhe të japim sqarime. Nuk ka më protesta, nuk është hera parë që ekstremistët e Agimit të Artë që bëjnë protesta të tilla. Ajo që duhet të them është që ky duhet të jete një incident që nuk duhet të politizohet, por vetëm të hetohet”, tha Hobdari për televizionet shqiptare.
Meta: Hetime transparente, dënoj ngjarjen e stadiumit
Për ngjarjen e ndodhur në Bularat ka reaguar edhe presidenti i Republikës, Ilir Meta, i cili ka kërkuar hetime transparente nga ana e autoriteteve hetimor shqiptare, duke e cilësuar si ngjarje të izoluar që nuk mund të ndikojë në marrëdhëniet ndërmjet dy shteteve.
Zëdhënësi i Presidentit të Republikës, Tedi Blushi i pyetur nga mediat mbi ngjarjen e rëndë të Bularatit, nënvizon se: “Presidenti Meta vlerëson rëndësinë e hetimeve transparente e shteruese dhe shpreh bindjen e thellë se kjo është një ngjarje e izoluar e cila nuk mund të zbehë miqësinë shqiptaro-greke. Minoriteti grek në Shqipëri dhe emigrantët shqiptarë në Greqi do vazhdojnë të jenë ura solide të këtyre marrëdhënieve dhe kësaj miqësie”.
Presidenti Meta vlerëson qëndrimet e ministres së Kulturës së Greqisë lidhur me ngjarjen dhe ju bën apel të gjithëve të qëndrojnë larg përpjekjeve për të shfrytëzuar këtë ngjarje për retorikë nacionaliste e nevoja politike destruktive.
“Në të njëjtën kohë Presidenti Meta thekson se parulla e shfaqur në shkallët e stadiumit “Selman Stërmasi” gjatë ndeshjes Partizani-Skënderbeu është jo vetëm e papranueshme, por thellësisht e dënueshme. Një parullë e tillë antisportive dhe raciste është edhe një fyerje për korifenjtë e futbollit shqiptar që nderuan fanellën e ekipit tonë kombëtar duke pasur kombësinë greke. Sidoqoftë këto ngjarje të izoluara duhet të na shërbejnë si një kambanë alarmi për të parandaluar dhe frenuar që në gjenezë pasojat e gjuhës së urrejtjes mes popujve tanë”, deklaroi zëdhënësi i Presidentit, Blushi.
FSHF dënon incidentin në ndeshjen Partizani-Skënderbeu
Ndërkaq Federata Shqiptare e Futbollit ka reaguar ndaj incidentit të ndodhur të hënën gjatë ndeshjes Partizani-Skënderbeu, ku nga tifozët e kryeqytetit u shfaq një banderolë “1 grek më pak, 1 bastard më pak”.
Federata Shqiptare e Futbollit me anë të një deklarate shpreh shqetësimin e thellë dhe distancohet në mënyrë të prerë nga incidenti i ndodhur gjatë ndeshjes Partizani – Skënderbeu, duke iu referuar qartazi parullës së shpalosur në fillim të ndeshjes në seksionin e tifozerisë së Partizanit, parullë dukshëm me sfond racist dhe me mesazhe të papranueshme për fushën e blertë dhe lojën e futbollit. Edhe pse u desh ndërhyrja e delegatit të ndeshjes për heqjen e atij çarçafi të errët, sërish qëllimi dhe akti mbetet shumë i dënueshëm.
“Ajo parullë që nuk ka asnjë të përbashkët me thelbin e futbollit për të bashkuar njerëzit në paqe e harmoni, nuk mund të jetë kurrsesi një element tifozerie e aq më pak të qëndrojë mbi flamurin tonë kombëtar. FSHF, duke dënuar me forcë gjuhën e përdorur dhe mendjen e trazuar për ta përzjerë futbollin me racizëm apo pseudo nacionalizëm, siguron opinionin publik dhe tifozët e vërtetë se stadiumet tona nuk do të shndërrohen asnjëherë në mediume konflikti dhe urrejtjeje por do të jenë në çdo rast e çast arenë ku mbizotëron fryma e solidaritetit, gjallërisë dhe dashurisë për futbollin. Ritheksojmë se distancohemi qartazi nga çdo provokim dhe shprehim bindjen se ky grupim i veçuar, çarçaf i shkurtër dhe i keq orientuar nuk do të arrijë të prishë imazhin e futbollit dhe tifozerisë së vërtetë”, thuhet në reagimin e FSHF-së.
Ndërsa bëhet e ditur se ky institucion do të marrë masa ndëshkuese ndaj klubit të futbollit të Partizanit.
“Duke i nxjerrë kartonin e kuq këtij rasti të rrezikshëm për imazhin e futbollit, i sigurojmë të gjithë se do të merren të gjitha masat përkatëse që raste të tilla skenarësh dritëshkurtra jo vetëm të mos kalojnë pa u ndëshkuar, por kurrsesi të mos përsëriten e të mos njollosin imazhin e lojës së futbollit. Duke theksuar se mbetet në përgjegjësinë e klubit parandalimi i këtyre incidenteve, në rastin aktual i klubit Partizani, bëjmë me dije se komisionet juridike pranë FSHF-së do të mblidhen në mënyrë urgjente dhe do të shqyrtojnë të gjithë incidentin për të vijuar me masat përkatëse”, thekson deklarata e FSHF-së.
Ky incident pati jehonë edhe përtej kufirit, ku disa gazeta greke shkruajtën për banderolën e shfaqur mbrëmjen e së hënës në “Selman Stërmasi”.
Portali “Himara.gr” shkruan se banerat e shfaqur në stadium, nuk kishin asnjë lidhje me ndeshjen. Kjo gazete bën lidhjen mes presidentit të Partizanit, Gaz Demi që është më origjinë çame, dhe drejtorit të klubit të kuq, Olsi Rama që është vëllai kryeministrit shqiptar. Duke u nisur nga këto dy fakte, kjo gazetë thotë se banderola e shfaqur nga tifozët mund të jetë një veprim i orkestruar.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.