Treg

“Skënderbeu” po i mbledh turistët edhe në vjeshtë

Nga Gazeta ‘Si’ – Gjatë perimetrit të rrugëve të Tiranës zor se ndodh të mos hasesh ende me turistë që ashtu si gjatë verës, të organizuar në grupe, rreken të zbulojnë më shumë për Shqipërinë.

Tur-operatorët turistikë të cilët për muajin e vjeshtës kishin pritshmëri vetëm për një cikël të mbyllur turistësh brenda Ballkanit Perëndimor shprehen të surprizuar për Gazetasi.al se ka patur prurje të mëdha jo vetëm nga Europa Perëndimore dhe Azia por edhe nga Amerika.

Ata thonë se turistët që kanë vizituar Shqipërinë gjatë këtyre dy muajve të vjeshtës, rreth 15% më shumë se e njëjta periudhë e vitit të shkuar, janë të interesuar për turizmin historik-kulturor.

Grup turistësh të huaj duke vizituar Tiranën

“Turizmi në Shqipëri ndahet kryesisht në dy periudha, ai i plazhit dhe ai kulturor që përkon me periudhën e vjeshtës. Rritja e turizmit blu ka ndikuar edhe në rritjen e këtij lloji tjetër të turizmit sepse turistët ndajnë përshtypjet e tyre me njëri-tjetrin.

Nga trendi i turistëve që kishim ne verë, patëm pritshmëri të larta edhe për vjeshtën dhe në fakt ashtu ndodhi.

Ka ende prurje të mëdha turistësh që në këtë kohë, më shumë se me fluturime, vijnë me autobusë”, thotë për Gazetasi.al Basnik Vathi nga Shoqata Shqiptare e Tur-operatorëve.

Besnik Vathi shprehet se pritshmërite e larta për vjeshtën u realizuan

Operatorët turistikë shprehen për Gazetasi.al se guidat turistike nisin tek monumenti i Skënderbeut pasi në sytë e turistëve ai shërben si “qendra e referimit për Shqipërinë dhe historinë e popullit tonë.”

“Tirana ofron shumë në drejtim të turizmit kultoror dhe jo pak herë ajo ka shërbyer si pikënisje që ata të vizitojnë edhe qytetet si Gjirokastra apo Berati duke qenë se kuriozohen shumë për të shkuarën e Shqipërisë.

Muzeu Historik Kombëtar, i ndërtuar në dekadën e fundit të regjimit komunist, është një ndër atraksionet fillestare që ndiqet më pas nga Bunk’Art 2, atë që dikur shërbente si një bunkier antiatomik i qeverisë”, thotë Ergys Xhika, një guidë që merret me grupet turistike.

Mandej ai shton se turistët kanë shprehur interes të lartë edhe për “Muzeun e Gjetheve”, zonën e “Pazarit të Ri” apo “Pedonalen”.

Duke e njohur mirë tipologjinë e turistëve, ai thotë se italianët dhe francezët janë më të interesuar për “të vjetrën” ndërsa spanjollët që u katërfishuan këtë verë, janë më të prirur drejt “haresë”, bar-eve dhe restoranteve ku kërcehet e këndohet.

Lindja e Mesme që këtë verë “shpëtoi” turizmin, është ajo nga të cilët operatorët turistikë kanë sytë edhe për vitet e ardhshme.

Këta turistë të cilët erdhën përmes disa linjave direkte të fluturimit, ishin tregu që ndikoi në tejkalimin e shifrave të 2019-s, atij që deri tani konsiderohej si viti më i mirë i turizmit.

“Ndonëse Shqipëria nuk ishte e përgatitur për të përballuar disa nga kërkesat specifike që ky treg kërkon, ata ishin zgjidhja që nevojitej për situatën në Shqipëri.

Politikat e ndryshme dhe kufizimet e udhëtimeve të BE-së për shkak të Covid-19, bënë që shumë turistë, sidomos ato nga Egjipti, të zgjidhnin vendin tonë. Ata lëvizën në të gjithë Ballkanin por përqendrimin më të madh e patën në Shqipëri”, tha disa kohë më parë për Gazetasi.al Zak Topuzi, Kreu i Shoqatës së Hotelerisë dhe Turizmit.

Ndërsa Besnik Vathi shton se turistët aziatikë do të kthehen në një treg potencial me një shtrirje më të gjatë, përtej verës.

Pritshmëri pozitive edhe për fundvitin, prurjet më të larta nga rajoni

Ndonëse çmimet vazhdojnë të jenë të larta dhe inflacioni në shumë shtete ka arritur shifra dyshifrore, tur-operatorët thonë se edhe pritshmëritë për festat e fundvitit janë premtuese.

“Gjatë festave të fundvitit nuk ka numër aq të lartë turistësh të huaj sa të mund ta diskutosh pasi atë periudhë kemi më shumë qarkullim të turistëve të brendshëm. Megjithatë, ata që vijnë janë kryesisht nga vendet e rajonit të cilët kanë tendencën për të vizituar më shumë Korçën dhe Voskopojën”, mbyll për Gazetasi.al Vathi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë