Arsim

Kaosi i një viti të ri akademik që (nuk) nisi sot

Nga Sorgena Leka – Pedagogë që protestojnë, pedagogë që nuk pranojnë të jenë pjesë e protestës, rektorë që nuk reagojnë, rektorë që vendosin se viti i ri akademik do të vazhdojë normalisht, ministri që uron nisjen e vitit të ri akademik që në të vërtetë nuk nisi, studentë që mbështesin bojkotin e pedagogëve dhe studentë që lajmërojnë protesta në rast se bojkoti i pedagogëve vazhdon…

Kjo është një panoramë e shkurtër e këtij viti të ri akademik që (nuk) nisi ditën e sotme.

Në oborrin e Universitetit Politeknik në orën 10:00 u mblodhën të gjithë pedagogët duke bojkotuar kështu mësimin siç ishte paralajmëruar.

Kreu i sindikatës së pedagogëve Sandër Kovaçi tha se ky bojkot do të vazhdojë deri në momentin që Qeveria do të pranojë kërkesat e pedagogëve për një rritje page prej 30% vitin e parë dhe 20% vitin tjetër.

Të pyetur nga Gazetasi.al, studentët ishin të ndarë në mendimet e tyre për bojkotin.

Disa prej studentëve thanë se e mbështesin bojkotin e pedagogëve pasi një rritje page e tyre përkthehet në një mësimdhënie më të mirë.

Por, një orë pasi kishte filluar bojkoti i mësimit, disa studentë, pjesë e “Lëvizjes për Universitetin” protestuan disa metra larg Universitetit.

“Kemi mbledhur firmat e 5000 studentëve për t’i kërkuar qeverisë mbështetje ekonomike prej 10.000 lekësh si përgjigje ndaj krizës ekonomike dhe nuk kemi marrë një përgjigje serioze”, thanë studentët gjatë protestës së tyre.

Loreta Koleci, përfaqësuese e “Lëvizjes për Universitetin”, e pyetur nga Gazetasi.al nëse e mbështet bojkotin e pedagogëve, tha se nuk është kundër bojkotit apo rritjes së pagës së pedagogëve, por është kundër mospërfshirjes së studentëve në kërkesat e tyre.

“Nëse pedagogëve u rritet paga, kjo përkthehet në tarifa më të larta për studentët dhe pedagogët duhej ta kishin menduar këtë”, tha Koleci.

Ajo komentoi edhe deklaratat e pedagogëve që rritja e pagave përkthehet në një mësimdhënie më të mirë.

“Mësimdhënia është detyrë morale mbi të gjitha. As ne nuk i kemi kushtet siç duhet dhe përsëri na kërkohet maksimumi. Edhe pedagogët duhet të jenë njësoj para studentëve, pavarësisht pagës”.

Koleci tha për Gazetasi.al se bashkë me studentë të tjerë që janë pjesë do të shkojë në çdo universitet për të folur me studentët dhe nëse ato nuk duan të jenë pjesë e bojkotit, do të shkojnë çdo ditë në auditore dhe nëse kjo situatë nuk zgjidhet, do të detyrohen të bëjnë një protestë kundër bojkotit.

“Nesër dhe në ditët në vijim unë do të jem në auditor çdo mëngjes. Nuk dua të ketë bojkot sepse është në dëmin tonë”, tha për Gazetasi.al Emiljando Kita, një tjetër student.

Studentë të tjerë thonë se mësimi duhet të nisë duke qenë se studentët tashmë i kanë gjetur apartamentet me qira dhe janë bërë gati për të filluar vitin e ri akademik.

Ndërkohë që kryetari i sindikatës tha për Gazetasi.al se orët e humbura do të zëvendësohen, studentët janë kundër kësaj zgjidhjeje.

“Do bëjmë mësim edhe ditë të shtunë? Kjo është e padrejtë. Shumë studentë janë në punë dhe nuk mund të bëjmë mësim pasdite apo ditë të shtunë. Do kemi shumë ngarkesë në momentin që do të fillojë mësimi”, tha një studente.

Po në rast se nuk ka një marrëveshje?

I pyetur se çfarë mund të ndodhë në rast se nuk ka një marrëveshje mes qeverisë dhe sindikatës, Kovaçi tha se bojkoti do të vazhdojë deri në fund të vitit akademik dhe qeveria do të mbajë përgjegjësi për humbjen e mësimit.

Sindikata ka deklaruar se ditën e nesërme bojkoti do të fillojë që në orën 08:00 dhe do të mblidhen të gjithë në Universitetin Politeknik në orën 10:00 ndërkohë që universitetet e rretheve do të mblidhen në sheshet e tyre.

Ndërkohë përsa i përket disa pedagogëve që nuk janë dakord me bojkotin, sipas Kovaçit kjo ndodh sepse ato janë të mirë paguar pasi punojnë edhe në vende të tjera.

Disa universitete si ai i Korçës dhe Vlorës kanë vijuar mësimin normalisht duke mos u bërë palë me bojkotin e pedagogëve.

Në këto dy unievrsitete nuk është paralajmëruar bojkot dhe studentët kanë shkuar në auditorë.

Edhe në Elbasan dhe Durrës mësimi ka nisur pjesërisht me pedagogë që kanë zgjedhur të fillojnë vitin e ri akademik normalisht dhe të tjerë që kanë dalë në oborret e universiteteve në shenjë proteste.

Në mes të gjithë kësaj rrëmuje në oborrin e Politeknikut por edhe në çdo Universitet të Shqipërisë ku askush nuk e di se çfarë do të ndodhë me arsimin e lartë, Ministria e Arsimit ka uruar të gjithë studentët dhe pedagogët për fillimin e vitit të ri akademik që, në fakt, nuk nisi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë