Drejtësia

Vjedhja e BSh/Gjykatat shqiptare e falën, por Strasburgu nuk e fal ish guverntorin Fullani

Gazeta Si – Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut, e ka cilësuar të papranueshme kërkesën e ish-Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani për vendimin e shkarkimit të tij, ku kërkonte dëmshpërblim për “prishje imazhi”.

Gjykata ka vendosur unanimisht të rrëzojë Fullanin, i cili ka hedhur në gjyq shtetin shqiptar, pasi u shkarkua nga detyra në vitin 2014.

Në vendimin e Gjykatës së Strasburgut, theksohet se Fullani nuk kishte përdorur të gjitha mjetet juridike të brendshme në dispozicion të tij.

Fullani u shkarkua në 2014 pasi u akuzua për shpërdorim detyre pas zhdukjes së 713 milionë lekëve.

Më pas, ai u arrestua dhe gjykata e la në “arrest shtëpie”, por në dhjetor 2015, u shpall i pafajshëm nga Apeli.

Ish-Guvernatori i BSh, paditi në Gjykatën e Strasburgut shtetin shqiptar, pasi sipas pretendimit të tij, dështoi që ta rikthejë në detyrën që mbante para se të shkarkohej nga Parlamenti për skandalin e vjedhjes së 7 miliardë lekëve.

Në padinë e ngritur kundër shtetit shqiptar, ai pretendon gjithashtu dëmshpërblim për cenim të integriteti dhe prishje imazhi.

Fullani u arrestua për shpërdorim detyre në shtator të 2014. Pasi fitoi pafajësinë në të trija shkallët e gjyqësorit shqiptar, ai u ankua në Gjykatën Kushtetuese.

Kjo e fundit i dha të drejtë dhe e dëmshpërbleu me 56 paga, duke filluar nga momenti i shkarkimit e deri në vitin 2018, për një total prej rreth 300 mijë eurosh.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë