Kombetarja

Duka dhe Reja duan Europian: Mundësi reale, garën e kemi me Çekinë!

Gazeta Si – Pas shortit për kualifikueset e Europianit 2024, kanë folur presidenti i FSHF-së Armand Duka dhe trajneri i Kombëtares, Edi Reja. Ata e konsiderojnë short të fortë, por shpallin si objektiv kualifilimin, që do të thotë të paktën vendi i dytë.

Presidenti Duka theksoi: “Të gjitha skuadrat janë të mira, short i pranueshëm. Grupi B dhe C ishin të vështirë, në grupin tonë mund të arrihet çdo rezultat. Është real objektivi për të qenë pjesë e Euro 2024.

Nuk mund të mendosh nga shorti që je kualifikuar, por duhet të shohësh fushën. Pas shortit të Euro 2016 menduam se ishte i pakalueshëm, por ia dolëm. Tani, nëse mendojmë se është një grup i lehtë, do të bëjmë më keq se më parë. Janë skuadra të forta, Polonia është pjesëmarrëse në Botëror, edhe Moldavia e Ishujt Faroe janë në rritje.

Grupi me pesë skuadra është më pak impenjativ dhe nuk kam pishman për skuadrën e gjashtë, për shkak të përfitimit financiar. E doja një grup me pesë”.

Klinsman gjate shortit. Gazeta Si, 9 tetor 2022

Trajneri Reja u shpreh: “Janë skuadra që i njohim, skuadra të vështira, por mund të përballemi me to. Kemi mundësi të mira me të gjitha këto skuadra, nëse do të jemi në gjendje të mirë dhe nuk do të kemi mungesa. Polonia është e fortë, kjo dihet, por do të garojmë me Çekinë për vendin e dytë.

Duhet të jemi të kënaqur me këtë grup, pasi kemi evituar emra të mëdhenj. Edhe Çekinë e njohim, pasi jemi përballur me ta në miqësore vitin e kaluar. Do të hasim vështirësi, nëse luajmë si vitin e kaluar. Duhet të shmangim gabimet.

E ardhmja? Presidentin këtu e keni. Në fillim të përfundojë kontrata që kam, më pas do të ulemi të bisedojmë. Për momentin duhet të punojmë, të mbyllim kontratën që kemi dhe më pas do të flasim për të ardhmen”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë