Gazeta Si - Pengmarrja disa minutëshe e Indrit Beqirajt në Durrës gjatë të dielës pas një aksidenti automobilistik, ishte çelësi që i erdhi në dorë policisë për të zbërthyer rrjetin e vrasësve me pagesë që vepronin si grup i strukturuar kriminal që prej vitit 2021.
Një nga personat e arrestuar në operacionin “Porositësit”, që akuzohet për disa vrasje në Tiranë e Durrës, është edhe një polic i Burgjeve në qytetin bregdetar.
Në pranga ka rënë Flamur Bejko, i cili sipas bluve, ka porositur dy vëllezërit Gentian dhe Indrit Beqiraj të kryenin një vrasje të dyfishtë, e cila nuk është finalizuar.
Madje Bejko ka paguar dhe 3500 euro paradhënie për dy vëllezërit, për të kryer vrasjen e shtetasve S. Z., dhe I. H.
Dyshohet se S.Z dhe I.H., kanë rrahur policin e burgjeve dhe ky në shenjë hakmarrje donte t’i eliminonte fizikisht.
Për këtë veprimtari kriminale, vëllezërit kanë marrë një shumë paraprake prej 3500 eurosh dhe kanë siguruar mjetet për realizimin e kësaj ngarjeje dhe konkretisht 4 kg eksploziv, si dhe një armë zjarri automatik, të cilat janë gjetur dhe sekuestruar gjatë kontrolleve të ushtruara nga shërbimet e Policisë, gjatë datës 3 tetor 2022.
Arsyeja për t'i eliminuar
Ndërkohë personat me iniciale S.Z dhe I.H janë të dy të dënuar për drogë. Flamur Bejko ka qenë gardian në burgun e Durrësit dhe ishte personi që fuste drogën në ambientet e burgut për llogari të dy të dënuarve.
Këta nuk i kanë dhënë lekët e futjes të drogës në burg dhe kur kanë dalë jashtë ai ka vijuar t’ua kërkojë atyre.
Dy të dënuarit e kanë dhunuar fizikisht gardianin dhe për pasojë ai ka dashur të hakmerret, duke kontraktuar vrasës me pagesë për ekzekutimin e S.Z dhe I.H.
Arma dhe paratë janë gjetur dhe sekuestruar gjatë kontrolleve të ushtruara nga shërbimet e Policisë, gjatë datës 3 tetor 2022.
Vrasja e "Manecit"
Një tjetër vrasje për të cilën akuzohen dy vëllezërit, Gentjan e Indrit Beqiraj ishte dhe ajo e 18 majit në Sukth, ku u vra Arben Mërkuri i njohur ndryshe si "Maneci".
Edhe për këtë vrasje, policia thotë se porositës ishte Kasandër Noga, ndërsa ekzekutor sërish i riu, Kevin Zeneli, i cili është informuar dhe nga dy vëllezërit Beqiraj.
Drejtori i policisë së Durrësit, Skënder Hita tha se vrasjet e porositura do kryheshin kundrejt pagesave nga 50 deri në 150 mijë euro.
Përplasja me "Rrumin e Shijakut"
Po ashtu, vëllezërit Beqiraj u përplasën edhe me Aleksandër Lahon, të njohur Rrumi i Shijakut, pasi ai dyshonte se vëllezërit po e gjurmonin për të krijuar kushte për vrasjen e të fortit të Shijakut.
Një prej personave që ndodhej në makinë u arrestua nga policia, ndërsa 3 të tjerët u shpallën në kërkim.
Ata janë Agron Bejdolli, Dritan Ferra alias Dritan Muça alias Dritan Prifti, dhe Aleksandër Laho alias Pëllumb Muharremi.
Në këto kushte, Aleksandër Laho, alias Pëllumb Muharremi, është shpallur në kërkim nga policia.
Ai dyshohet se bashkë me tre persona të tjerë, mori peng njërin prej vëllezërve Beqiraj, Indrit Beqirajn, ngjarje e ndodhur dy ditë më parë (2 Tetor) në afërsi të fshatit Koxhaj, në autostradën Tiranë-Durrës.
I njohur edhe me nofkën “Rrumi”, ai nuk është emër i panjohur për policinë, por edhe publikun.
Në 2019-n, ai mbeti i plagosur në atentatin ndaj prokurorit prokurorit Arjan Ndoj ngjarje e ndodhur më 1 nëntor pranë mbikalimit të Shkozetit.
Persona të paidentifikuar qëlluan me armë zjarri nga mjeti i tyre në drejtim të automjetit ku po udhëtonte prokurori Ndoj. Si pasojë mbeti i vrarë shoferi i tij Andi Maloku 24 vjeç dhe Aleksandër Laho.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.