Kombetarja

Reja driblon të ardhmen: Mendoj vetëm për ndeshjen me Islandën

Gazeta Si – Trajneri Reja, në konferencën për shtyp para ndeshjes me Islandën, që luhet nesër në “Air Albania”, ka përsëritur arsyet e humbjes në Izrael. Ai e ka dribluar çështjen e së ardhmes, duke theksuar se mendon vetëm për ndeshjen me Islandën.

“Kemi bërë disa paraqitje të mira në miqësore dhe në Ligën e Kombeve deshëm të bënim atë hapin cilësor, por nuk ia dolëm. Kemi bërë gabime. Janë gabime jo të reparteve, por individuale. Kur je në fushë, duhet të përdoresh mendjen, nuk mund të jesh aq bujar.

Futbolli luhet me ekuilibër, ne e humbëm totalisht në Izrael dhe humbëm edhe ndeshjen. Dy golat i dhuruam, edhe kur ishim 1-1 lamë shumë hapësira. Islanda? Ndonjë ndryshim me Islandën do të ketë. Do të shoh grupin dhe do të bëj vlerësimin. Disa lojtarë janë pak të lodhur, Ajeti nuk është stërvitur.

Na ka ndodhur që të pësojmë një gol në fund. Është aspekti psikologjik që ndihmon lojtarët që të reagojnë mirë pasi skuadra pëson gol. Kritikat? Nuk është se i ndjej shumë, ndoshta lojtarët po. Për mua është e rëndësishme që skuadra të reagojë pas humbjes. Duhet të jemi të qetë në fushë për të marrë rezultat.

E ardhmja? Mendoj vetëm për Islandën, vetëm për ndeshjen e nesërme. Nuk është momenti të flasim për të ardhmen. Nuk i dihet kurrë çfarë ndodh”, – tha Reja mes të tjerash.

Cikalleshi: Duhet të jemi të bashkuar
Para gazetarëve doli sot edhe sulmuesi Sokol Cikalleshi, i cili u shpreh: “Është një situartë jo e mire, në Izrael duhej të futonim. Kur ndeshja ka mbaruar gjen gjëra për të korrigjuar, ne kemi analizuar me ekipin gabimet individuale që po ndikojnë.

Sokol Cikalleshi në konferencë shtypi. Gazeta Si, 26 shtator 2022

Futbolli është lojë gabimesh dhe nuk po përfitojmë nga gabimet e kundërshtarëve, kemi gabuar ne. Me Islandën është e rëndësishme për ta mbyllur në vend të dytë. Kemi shënuar, por futbolli nuk është vetëm mbrojtje apo sulm, është kompleks dhe duhet të funksionojnë të gjitha reapartet.

Duhet të gjejmë harmoninë, jemi ekip i vogël dhe vetëm me dëshirë e pasion mund të arrijmë gjëra të mëdha. Vetëm duke qenë bashkë mund të arrijmë fitore. Eliminatoret e Europianit janë afër dhe është e rëndësishme të jemi bashkë edhe me tifozët.

Pas Izraelit ishim të shkatërruar emocionalisht, bisedat vazhdojnë ende për atë që ndodhi. Nuk mund të drejtojmë gishtin te një lojtar. Kombëtarja është krenari dhe duhet mbështetur. Me Islandën është ndeshje për moral, për të treguar se mund të ringrihemi”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë