Gazeta Si – Deklaratat pas ndeshjes nga ana e lojtarëve kryesorë të Kombëtares tregojnë se grupi nuk është dhe aq i bashkuar dhe nuk ka uri për sukses. Hysaj ka pranuar gabimet dhe faktin se ka bërë një nga ndeshjet më të dobëta, por nuk kurseu kritikat për të rinjtë.
“Nuk luajmë me shpirt si më parë. Duhet të reflektoj me veten për gabimet që kam bërë. Të rinjtë ndoshta nuk e ndjejnë fanellën”, – theksoi Hysaj mes të tjerash. Klaus Gjasula u shpreh se lojtarët duhet ta ndihmojnë më shumë njëri-tjetrin dhe se fati nuk vjen po nuk e kërkove.

Trajneri Edi Reja vuri në dukje pas ndeshjes faktin se skuadra penalizohet nga gabimet individuale: “Për mënyrën si shkoi ndeshja, po të barazonim do të ishte një rezultat i mirë. Djemtë dhanë gjithçka, por bëmë gabime individuale te golat e pësuar.
Nuk kemi qartësi në momentet e rëndësishme të lexojmë aksionet. Kështu jemi penalizuar gjithmonë. Themi të njëjtat gjëra, duhet të bëjmë këtë hap të rëndësishëm dhe të mos bëjmë gabime. Ndërrova 5 lojtarë, sepse po na vinin në vështirësi. Ishte paraqitje e mire dhe mbetet për t’u diskutuar ndonjë gabim individual.
Broja është 21 vjeç, duhet të rritet. Po e aktivizoj që të kuptojë se është e vështirë të luash me kundërshtarë agresivë. Ai ka goditjen, mund të krijojë diçka vetë, por duhet ende të rritet, nuk është gati.
Erdhi ai gol i madh i Uzunit dhe djemtë besonin, ndaj dhe shtynë që ta fitonim ndeshjen. Edhe barazimi nuk ndryshonte gjë. Tani duhet të fitojmë me Islandën dhe pikë”, – tha Reja.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




