Gazeta Si – Një ditë para ndeshjes vendimtare të Ligës së Kombeve me Izraelin, trajneri Edi Reja dhe kapiteni Elseid Hysaj dolën në konferencë shtypi. Ndeshje shumë e rëndësishme për kreun e grupit, që do ta ndihmonte Shqipërinë për të qenë në vazon e dytë në shortin e Europianit 2024.
“E njoh forcën e Izraelit që nga ndeshja e parë, – ka theksuar trajneri Reja në konferencë. – Është ekip me cilësi, pavarësisht se kush i mungon. Kushdo që luan jep maksimumin. Është ndeshje vendimtare të dyja palët. Ne duam të fitojmë.

Kush vendoset më mirë në fushë dhe kush ka mentalitetin e duhur, do të arrijë rezultat. Urojmë të fitojmë ne. Shpresojmë për vendin e parë, nuk ka alternativa. Do të mundohemi të bëjmë ndeshjen tonë. Kush zbret në fushë do të bëjë maksimumin, pastaj çdo ndeshje ka episode.
Kemi nevojë për një paraqitje të madhe, sepse ka një presion të lartë. Do të ketë shumë njerëz. Duhet të jemi të përgatitur, nuk duhet t’u lëmë hapësira. Jam i bindur që do të bëjmë një ndeshje të mirë. Kemi pasur vështirësi me mungesat, por kemi bërë paraqitje të mira.
Duhet hyrë në fushë me vendosmëri e besim, duhet të bëjmë të na respektojmë. Të kemi personalitet, si gjithmonë. Nëse i hedhim në fushë këto, sepse sa herë e kemi bërë, kemi bërë paraqitje të mëdha dhe kemi marrë rezultat. Nesër pres këtë nga skuadra”.
Hysaj: Ecim para si grup, mungesat i përballojmë
Kapiteni Hysaj u shpreh se Shqipëria pretendon vetëm 3 pikët në Izrael: “Kemi ardhur këtu për të bërë një ndeshje të mirë dhe për të kërkuar pikët, sepse po dolëm pa pikë në këtë ndeshje, do të jetë e vështirë për objektivin tonë. Është një ndeshje e rëndësishme dhe jemi gati.
Të gjithë jemi aq të rritur dhe profesionistë sa që, nëse do trajneri të ndryshojë pozicionimin në fushë, duhet të jemi gati ta bëjmë. Jemi aq profesionistë sa të japim maksimumin në fushë dhe të luajmë lojën si do trajneri. Dëmtimet? Duhet ta kuptojmë që është një ndeshje e rëndësishme.

Duhet të kalojmë nga kjo ndeshje për të shkuar te tjetra dhe për të menduar kualifikimin. Jemi 100% të përqëndruar në grup dhe pastaj të mendojmë për ndeshjen e radhës. Kemi pasur dëmtime të mëdha, por besoj se të gjithë që kanë ardhur në këtë grumbullim do të japë maksimumin e tij.
Jemi një ekip që kemi ecur përpara si grup dhe do ecim si grup. Nuk kemi një lojtar që na bën ta humbasim apo ta fitojmë ndeshjen. Kemi kualitet, si përpara si mbrapa, për të bërë më shumë, për të bërë rezultat dhe ta mbrojmë rezultatin. Vlerat tona i dimë dhe shpresoj që nesër t’i tregojmë”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




