Drejtësia

Afera me tenderin e uniformave, Apeli lë në fuqi vendimin për 9 të akuzuarit

Gazeta Si - Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka lënë në fuqi vendimin në lidhje me 9 personat e akuzuar për tenderin 28 milionë euro të uniformave të Policisë së Shtetit.

Tenderi që kapte shifrën e 2.8 miliardë Lekëve është dhënë në shkelje të procedurave nga zyrtarët të cilët u morën nën hetim nga SPAK në korrik 2021t.

Aktualisht të gjithë të hetuarit janë liruar për shkak të shlyerjes së dënimit, megjithatë janë të përjashtuar nga çdo funksion publik për 5 vitet e ardhshme.

Dy gjykatat gjetën të provuar akuzën e SPAK se zyrtarët e Ministrisë së Brendshme kanë shpallur fituese një kompani që nuk plotësonte kriteret, si dhe janë bërë abuzime me çmimet e veshjeve.

Nëntë të dënuarit për tenderin e uniformave të policisë apeluan në prill vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë.

Ditën e parafundit të vitit 2021, gjykata kundër korrupsionit i dënoi me 1 vit burg dhe 5 vjet heqje e së drejtës për të ushtruar funksione publike.

Për këtë çështje u dënua drejtoresha e Ministrisë së Brendshme, Edlira Naqellari dhe shtetasit, Flutura Çekrezi, Ani Omuri, Anisa Bogdani, Fatmir Demneri, Mariglen Buzali dhe Kreshnik Bejka, Gëzim Mingaj dhe Aurora Mulla.

Të pandehurit për këtë çështje u gjykuan me gjykim të shkurtuar, duke përfituar edhe ulje me  1/3 të dënimit.

Zyrtarët dhe ish-zyrtarët e Ministrisë së Brendshme u arrestuan vitin e kaluar pas një operacioni të udhëhequr nga SPAK lidhur me abuzimet për tenderin e uniformave të policisë në vitin 2020, vlera e të cilit arrin në 25 milionë euro.

Sipas SPAK, në bashkëpunim me njëri-tjetrin dhe me drejtoreshën e Agjencisë së Blerjeve të Përqendruara, Edlira Naqellari kanë shkelur rregullat e prokurimit publik, barazinë në tenderë dhe kanë shkaktuar dëm ekonomik ndaj shtetit.

Hetimet nisën pas kallëzimit të depozituar në SPAK nga deputetët e opozitës parlamentare rreth një viti më parë, duke ngritur pretendime se punonjësit e Agjencisë së Prokurimeve në Ministrinë e Brendshme krijuan kushtet për të paracaktuar fituesin e tenderit të uniformave me vlerë 25 milionë euro.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë