Politike

Rama: Financimi rus ende i pazgjidhur nga drejtësia. Kur e tha PS-ja, u përqesh

Nga Gazeta ‘SI’- Kryeministri i vendit, Edi Rama, tha sot se çështja e financimit të disa politikanëve në Shqipëri nga Rusia, është ende e e pazgjidhur nga drejtësia. Rama shtoi se kjo është ngjarje e përmendur nga PS disa vite më parë, por është “përqeshur” dhe nuk është besuar as nga politikanët e as nga mediat.

 “Askush prej një mase të madhe përveç PS nuk ka marrë përsipër që të thellohet në këtë drejtim. Ka qenë një përqeshje e madhe. Ka qenë një front i madh i bashkuar politiko mediatik për ta mohuar me të qeshur. Kjo është një pyetje që duhet t’ja drejtoni prokurorisë, drejtësisë, pasi në fund të fundit politika dhe media kanë bërë zgjedhjet e tyre. Drejtësia e ka trajtuar çështjen dhe nuk ka dhënë kurrë një përgjigje. Sot shoh shumë që janë të tronditur! Detyra e tyre nuk është se sa herë flas unë apo PS, të skërmisin dhëmbët dhe të lëshojnë fjalë të rënda duke përqeshur çdo gjë që ne themi për kundërshtarët”,- u shpreh Rama, për herë të parë për çështjen financimit rus.

Rama po zhvillon një bisedim online me ndjekësit e tij, ku ndër të tjera ka folur dhe për sulmin kibernetik  të ardhur nga Irani. Ai ripërsëriti se nuk ka asnjë dëmtim apo humbje të dhënash, por se qëllimi i këtij agresioni ishte “lënia nga pas e një toke të djegur”. Kryeministri shtoi se Shqipëria do të vazhdojë të përballet me sulme të tjera kibernetike dhe duhet të rritet siguria rreth tyre.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë