Edhe në ndeshjen e dytë në “Elbasan Arena” kombëtarja U-17 e Shqipërisë nuk e ka thyer traditën e saj negative të humbjeve. Ekipi i drejtuar nga Xhemal Mustedanagiç është mposhtur edhe nga Norvegjia. Kjo ishte ndeshja e dytë e vlefshme për kualifikueset e Europianit dhe është mbyllur në shifrat 3-1 për nordikët. Ndryshe nga sfida e para pak ditëve me Çekinë, kuqezinjtë e vegjël kanë treguar një nivel loje më të mirë, por pa mundur dot të shmangnin disfatën.
Takimi filloi mirë për ekipin tonë, që në minutat e para është i organizuar dhe arrin të krijojë disa raste të rrezikshme. Si norvegjezët, ashtu edhe djemtë kuqezi kërkuan të shënojnë, por pa sukses për 45 minuta. Kur u mendua se pjesa e parë po shkonte drejt barazimit, miqtë shënuan golin e parë. Nga pika e bardhë e penalltisë do të ishte Geelmuyeden që kalon Norvegjinë në avantazh.
Në pjesën e dytë kombëtarja jonë hyn më e vendosur në fushë dhe kërkon të sulmojë më shumë. Trajneri Mustedanagiç kryen dhe zëvendësimet e para në skuadër për t’i dhënë më shumë freski, por as këto nuk ndryshojnë gjë, pasi miqtë, do të shënojnë sërish. Ndeshja shkon 2-0 dhe limitohen shanset e Shqipërisë për të dalë me pikë nga kjo sfidë. Por gjithsesi, kundërpërgjigja e skuadrës sonë do të vinte minutën e 80`, kur Gjini ngushton shifrat në 2-1. Në fund të takimit për të mbyllur çdo dilemë, Norvegjia shënon edhe golin e tretë edhe pse më herët, një lojtarë i kishte dalë me karton të kuq.
Kombëtarja U-17 merr humbjen e dytë në grup, duke mbetur në vendin e fundit me zero pikë. Sakaq në krye të grupit është ngjitur, Çekia e cila arriti të fitonte edhe në sfidën e radhës kundër Azerbajxhanit. Objektivi i ekipit tonë tashmë do të mbetet shmangia e vendit të fundit dhe shenjat e para u treguan në këtë sfidë me nordikët.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.