Kombetarja

Broja dhe Hysaj ngrohin Rejën, Manaj u shtohet mungesave

Gazeta Si – Situata me lojtarët e Kombëtares u vështirësua ditët e fundit, sidomos me ata të mbrojtjes. Berat Gjimshiti dhe Marash Kumbulla i kanë humbur ndeshjet me Islandën dhe Izraelin në Ligën e Kombeve për shkak dëmtimi.

Lajmi i mirë për trajnerin Edi Reja është rikuperimi i Elseid Hysajt, i cili luajti pak minuta në fundin e ndeshjes me Napolin, ku Lacio humbi 1-2. Nëse edhe shkodrani nuk do ta kalonte dëmtimin, do të ishte vërtet problem, sepse mungesat në mbrojtje do të ishin të shumta.

Hysaj gjate nje ndeshjeje me Kombetaren. Gazeta Si, 4 shtator 2022

Tjetër lajm i mirë për trajnerin e kuqezinjve është edhe aktivizimi i sulmuesit Armando Broja. Pas rinovimit të kontratës me Çelsin, Broja luajti 30 minuta në fitoren 2-1 ndaj Uest Hemit ditën e shtunë. Sa më shumë të luajë, aq më shumë mundësi ka të kapë formën optimale.

Listës së dëmtimeve ndërkohë i janë shtuar portieri Berisha dhe sulmuesi Manaj. Por i pari ka pësuar një dëmtim të lehtë dhe në ndeshjet e Ligës së Kombeve do të jetë. Prania e Manajt është në pikëpyetje, por shpresohet që edhe ai t’ia dalë.

Dy ndeshjet e radhës në Ligën e Kombeve janë shumë të rëndësishme për Kombëtaren. Në dy ndeshjet e para kuqezinjtë barazuan 1-1 në Islandë, por u mundën 1-2 nga Izraeli.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë