Nga Gazeta ‘SI’ – Një krim në familje ka tronditur kryeqytetin pasditen e të martës në rrugë “Islam Alla” në zonën e “Myslym Shyrit”, ku vëllai vrau vëllanë dhe kunatën.
Krimi i dyfishtë ndodhi rreth orës 16:45 minuta në një agjenci udhëtimesh.
Viktimat janë Dritan dhe Nora Muskurti, 44 vjeç dhe 33 vjeçe ndërsa autori Arsen(Hamza) Muskurti u arrestua dy orë pas krimit të rëndë.
Autori është kapur në qendrën tregtare “Concord”, në rrugën ‘5 Maji’, ku ai kishte dyqanin e tij meprodukte kozmetike bimore.
Pas orës 16:00 të së martës, autori u afrua i qetë në biznesin e të vëllait, me një dorë hap derën dhe me tjetër nxjerr pistoletën, ku kryen krimin e dyfishtë.
Pas disa sekondash, del i gjakftohtë dhe largohet nga i njëjti drejtim që erdhi, për t’u arrestuar disa orë pas vrasjes në zonën e 5 Majit.
“Arsen Muskurti, qëlloi disa herë në drejtim të vëllait të tij Dritan dhe kunatës Nora Muskurti, duke i lënë të vdekur në ambientet e biznesit të tyre”.
Çifti i bashkëshortëve Dritan dhe Nora Muskurti 44 dhe 33 vjeç, prindër të 3 fëmijëve ndërruan jetë menjëherë. Ngjarja ndodhi në rrugicën Islam Alla, shumë pranë qendrës së kryeqytetit.
Hetuesit thonë se ata kanë qenë prej kohësh në konflikte të vazhdueshme. Të njëjtat burime thanë se dyshohet se shkak për ngjarjen mund të jetë bërë debati mes dy vëllezërve për pronësinë e biznesit, agjenci udhëtimesh, të cilin e kishin drejtuar bashkë deri në vitin 2018.
Në këtë vit Arsen Muskurt i ka shitur vëllait 50% të aksioneve të tij.
Megjithatë kjo nuk është e vetmja pistë ku po hetohet për zbardhjen e motiveve. Konfliktet që dy vëllezërit kanë pasur me njëri-tjetrin nuk kanë mbetur private.
Në një postim në rrjetet sociale, Arsen Muskurti që prezantohej edhe me emrin Hamza akuzonte vëllain dhe kunatën e tij së po ofendonin hoxhallarët dhe po përçanin fenë islame ndaj bën thirrje kundër tyre.
Pritet që autori të merret në pyetje për të hedhur më shumë dritë mbi ngjarjen që tronditi kryeqytetin.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.