Komunitet

Policë shqiptarë në Britani? Londra: Do të përshpejtojmë dëbimin e shqiptarëve

Shqipëria mund të dërgojë efektivë të Policisë së Shtetit për të ndihmuar autoritetet britanike në procesin e verifikimeve të emigrantëve shqiptarë që kalojnë Kanalin e La Manshit ilegalisht me varka.

Sipas Skynews, kjo është pjesë e marrëveshjes së nënshkruar në verën e vitit të kaluar mes ministres së Brendshme britanike, Priti Patel dhe ministrit të Brendshëm shqiptar, Bledi Çuçi.

Autoritetet britanike thanë për Skynews se Shqipëria ka premtuar mbështetje duke dërguar oficerë të lartë të zbatimit të ligjit në Britaninë e Madhe për të ndihmuar në procesimin e kërkesave për azil dhe largimin e shpejtë të atyre që kalojnë kanalin me varka.

Ministrja e Brendshme britanike, Priti Patel tha se duke filluar nga java e ardhshme, procesi i verifikimeve do të përshpejtohet dhe ata që kapen duke kaluar ilegalisht Kanalin mund të dëbohen edhe brenda pak orëve.

LEXO EDHE:
- 40 për qind e emigrantëve që futen në Angli me gomone janë nga Shqipëria
- Investigimi / Brenda linjës së trafikut me gomone në La Mansh, ku shqiptarët janë kthyer në ‘agjenci turistike’
- Martesa ‘për letra’, shqiptarët të parët në Britaninë e Madhe
- Skllevër modernë e viktima të trafikut, shqiptarët të parët në Angli

Oficerët shqiptarë do t'u ofrojnë autoriteteve gjithashtu informacion mbështetës në këtë proces, tha Home Office. Zyrtarët qeveritarë besojnë se rreth 60 për qind e emigrantëve që kalojnë në Kanal çdo ditë tani janë shqiptarë, megjithëse shifrat luhaten.

Sipas medias britanike, Priti Patel ka diskutuar të martën me ministrin Bledi Çuçi, ku të dyja palët u zotuan që të përshpejtojnë largimet e shqiptarëve që nuk sigurojnë të drejtën e qëndrimit në ishull.

Gjithashtu, autoritetet britanike do të përshpejtojnë edhe procesin e kontrolleve dhe verifikimeve të emigrantëve që hyjnë në vend përmes varkave të vogla nga La Manshih.

Një tjetër nismë është një fushatë ndërgjegjësuese e ndërmarrë në shqip në Facebook dhe Instagram nga autoritetet britanike, ku prej të mërkurës u bëhet thirrje qytetarëve shqiptarë që të mos ndërmarrin udhëtimin me varka pasi nuk kanë asnjë mundësi që të pajisen me leje qëndrimi dhe do të rikthehen.

Britania e Madhe e klasifikon Shqipërinë si "vend të sigurt", që do të thotë se shqiptarët që aplikojnë për azil atje kanë pak, ose aspak mundësi që ta marrin këtë status. Por, koha e përpunimit të këtyre kërkesave u jep këtyre personave disa javë, madje edhe muaj qëndrimi në ishull.

Sipas Skynews, në bisedën me Priti Patel, ministri Bledi Çuçi i quajti kalimet e Kanalit "të rrezikshme dhe të paligjshme" dhe ka folur për “zgjidhje afatmesme për të ofruar mundësi më të mira për të rinjtë" në Shqipëri, si dhe për të promovuar mjetet e "emigrimit të ligjshëm drejt Britanisë së Madhe”.

Rreth 1 mijë shqiptarë janë dëbuar nga Britania e Madhe që nga nënshkrimi i marrëveshjes së largimeve vitin e kaluar. Shumë prej tyre i kanë shpëtuar debimit me pretendimin se janë viktima të skllavërisë moderne dhe të trafikut nga grupet kriminale.

"Ky abuzim i sistemit tonë të imigracionit dhe njerëzve që rrezikojnë jetën e tyre nuk mund të vazhdojë", thotë ministrja britanike e Brendshme, Priti Patel.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë