Komunitet

Martesa ‘për letra’, shqiptarët të parët në Britaninë e Madhe

Pothuajse gjysma e martesave për letra në Angli përfshijnë të paktën një shtetas shqiptar. Sipas të dhënave të zbuluara nga BBC për 365 raste, në 146 prej tyre përfshihen shqiptarë që martohen me një shtetas, apo shtetase të Bashkimit Europian, ose me shtetësi britanike.

Sipas BBC, këta persona kanë abuzuar me një parashikim të përfshirë në marrëveshjen e shkëputjes nga BE, sipas të cilit shtetasit e vendeve të unionit mund të siguronin leje qëndrimi, apo zgjasnin lejen e qëndrimit për partnerin e tyre në rastet kur ky i fundit është nga vendet e treta, si në rastin e Shqipërisë.

BBC thotë se disa shtetas të BE pranojnë të lidhin martesë të rreme në këmbim të parave, që në disa raste shkojnë deri në 10 mijë paund. Por, në këtë skemë dyshohet se është përfshirë edhe krimi i organizuar.

Nga marsi i 2018-s, deri në shtator të 2021, autoritetet britanike kanë identifikuar 365 martesa të rreme mes shtetasve të BE-së me shtetas të vendeve të tjera, ku në krye të listës janë shqiptarët me 146 raste.

BBC thotë se prej dy vitesh asnjërit prej këtyre personave nuk u është revokuar leja e qëndrimit, ndërsa gjykimi i fundit i këtyre rasteve është në 2018-n, kur nëntë persona u dënuan dhe katër të tjerë u larguan nga vendi.

Autoritetet britanike thonë se janë të vendosura për të luftuar fenomenin e martesave të rreme dhe se nuk do të ngurrojnë që të ndërmarrin të gjitha hapat e nevojshme për të dënuar personat e përfshirë në to.

Këto të dhëna të publikuara nga BBC pasojnë një raport të inteligjencës ushtarake britanike, sipas të cilës shqiptarët përbënin aktualisht rreth 40 për qind të emigrantëve të paligjshëm që kalojnë me varka Kanalin e La Manshit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë