Shendet

Arti si kurë? Mjekët rekomandojnë vizita në muze

A mundet një galeri arti të sigurojë një arratisje për pacientët, që vuajnë një sërë shqetësimesh, nga diabeti e deri tek depresioni? Një shoqatë e mjekëve kanadezë dhe Muzeu i Arteve të Bukura të Montrealit,  po e vënë këtë bast në një nismë të re eksperimentale, që do t’i shohë mjekët të japin rekomandime për një udhëtim në muze. “Është aq e rrallë në mjekësi që të rekomandosh diçka dhe të mos të të duhet të shqetësohesh rreth efekteve anësore apo ndërveprimeve me mjekimet e tjera”, thotë Dr. Hélène Boyer, zëvendës presidente e mjekëve frankofonë të Kanadasë.

Nathalie Bondil, drejtore e përgjithshme dhe kuratore e muzeut ka thënë: “Kjo përvojë do t’i ndihmojë njerëzit  të arratisen nga dhimbja e tyre. Kur hyn në muze, i arratisesh shpejtësisë së jetës së përditshme. Është një lloj katedraleje moderne.”Projekti pilot, i cili do të zgjasë një vit, vepron nën besimin se mjedisi i muzeut mund të rezultojë dobiprurës ndaj një sërë problemesh nga shëndeti mendor tek çrregullimet në të ngrënë dhe tensioni i lartë i gjakut – mund të konsiderohet plotësues i trajtimeve tradicionale.

“Ka gjithnjë e më shumë prova shkencore që terapia e artit është e mirë për shëndetin fizik. Rrit nivelin tonë të kortizolit dhe nivelin tonë të serotoninës. Ne sekretojmë hormone kur vizitojmë një muze dhe këto hormone janë përgjegjëse për mirëqenien tonë”, ka thënë Boyer. Mjekët do të lëshojnë mbi 50 rekomandime që garantojnë hyrjen në Muzeun e Arteve të Bukura të Montrealit për familje deri në katër persona.

Megjithëse skema e Montrealit e përshkruan veten si e para e llojit të saj, në fillim të tetorit ishte qeveria britanike e cila zbuloi një strategji prej 1.8 milionë paundë të shëndetit publik, në të cilën një gamë aktivitetesh përfshirë edhe leksionet e artit do të rekomandohen në Shërbimin Kombëtar të Shëndetit, me mjekë të inkurajuar të rekomandojnë aktivitete sociale për pacientët që vuajnë nga vetmia, në vend që t’i ofrojnë trajtime të bazuara në barna.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë