Treg

Çmimet europiane të gazit u rritën përsëri. Mbyllja e tubacionit për 3 ditë nga Rusia po nxit frikën për një bllokim total

Çmimet e gazit natyror u rritën përsëri në Europë, pasi Gazprom në Rusi tha se do të mbyllë gazsjellësin në kontinent për tre ditë në fund të gushtit.

Ndërhyrja e paplanifikuar në rrjetin e NordStream1 që del nga Rusia në Gjermani nga deti Baltik, po thellon krizën e gazit në Europë dhe po rrit rrezikun e një recesioni dhe një mungese të lëndës për dimrin.

Çmimi i gazit në Dutch TTF hub, standardi europian për gazin natyror, u rrit me 19% të hënën e 22 gushtit, duke kapur 291.5 euro për megavatorë.

Të premten, çmimet u mbyllën në rekordin e 244.5 eurove për megavatorë.

Gazprom njoftoi të premten se mbyllja do të bëhet për shkak se kompresori i vetëm i tubacionit ka nevojë për shërbim. Gazi nga NordStream 1 do të bllokohet nga 31 gushti në 2 shtator.

Njoftimi i mbylljes së përkohshme vjen në një kohë kur qeveritë europiane përpiqen të rrisin stoqet me furnizime me gaz natyror në një përpjekje për të pasur karburant të mjaftueshëm për të mbajtur shtëpitë të ngrohta gjatë muajve të ardhshëm.

Rusia ka reduktuar në mënyrë drastike furnizimet me gaz natyror në Europë në javët e fundit, me rrjedhat përmes gazsjellësit Nord Stream 1 që aktualisht funksionon në vetëm 20% të volumit të rënë dakord.

Gjermania, megjithatë, e konsideron shkurtimin e furnizimit si një manovër politike të krijuar për të mbjellë pasiguri në të gjithë bllokun dhe për të rritur çmimet e energjisë në mes të sulmit të Kremlinit kundër Ukrainës.

Deri më tani, Gjermania blinte më shumë se gjysmën e gazit që i duhej nga Rusia dhe tani po frikësohet për një mbyllje të përhershme të tubacionit.

Për më tepër, gara e Europës për të kursyer mjaftueshëm gaz vjen në një kohë me çmime të larta. Rritja e kostove të energjisë po rrit faturat e familjeve, duke e shtyrë inflacionin në nivelin më të lartë në dekada dhe duke dobësuar fuqinë blerëse të njerëzve.

Holger Schmieding, kryeekonomist në Berenberg Bank, tha se njoftimi i fundit i Gazprom ishte një përpjekje e dukshme për të shfrytëzuar varësinë e Europës nga gazi rus.

“Në vetvete, një mbyllje e shkurtër e tubacionit nuk do të bënte një ndryshim të madh, veçanërisht pasi Rusia ka reduktuar eksportet e saj të gazit përmes NS1 në 20% të kapacitetit që nga 27 korriku,” – tha Schmieding.

“Por ai nxjerr në pah dy rreziqe të rënda: (i) Rusia mund të pretendojë në mënyrë të rreme se nuk mund të rihapë gazsjellësin më pas për shkak të një ‘çështjeje teknike’ që mund të zgjidhet vetëm nëse hiqen sanksionet perëndimore dhe (ii) Rusia gjithashtu mund të mbyllë tubacione të tjera të saj në Europë më vonë,” -shtoi ai.

Schmieding tha se çmimet më të larta pdo të “përkeqësonin recesionin serioz në të cilin tashmë po bie Europa” dhe paralajmëroi se një shkurtim i menjëhershëm i flukseve ruse do të rriste gjasat që Gjermania mund të përballet me mungesa gjatë dimrit. /CNBC


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë