Nga Gazeta “SI” – Yield-i i Bonove të Thesarit në ankandin e fundit nga Banka e Shqipërisë, pësoi një rritje prej 0.43%, duke arritur nivelin më të lartë të saj që nga 2015-a, pra 3.47%.
Sipas ekspertit të ekonomisë dhe tregjeve financiare Igli Tola, kjo luhatje do të rrisë koston e investimeve dhe biznesve. “Normalisht këto do të reflektohen në ofertë dhe në çmime”, shpjegon eksperti duke shtuar se kjo nënkupton një rritje të mëtejshme të nivelit të inflacionit në Shqipëri.

Për ekspertin Tola, ky ishte një efekt i pritshëm lidhur me situatën ekonomike aktuale dhe inflacionin e paprovuar më parë dhe rritja e normave të interesit nga bankat qendrore, në vend dhe Europë.
Ai shpjegon se një pjesë e madhe e portofolit të bankave përbëhet nga tituj financiarë me maturitet të ndryshëm dhe rritja e normave të yield-it të tyre do të godasë fitimin e bankave në kthim, që deri më tani është raportuar në rënie për vitin 2022.
“Ishte e pritshme që inflacioni i lartë dhe rritja e normave të interesit do të sillte rritjen e interesit të titujve financiar. Në pamje të parë duket sikur lidhet me tregjet financiare dhe jo me shëndetin ekonomik të qeverisë apo konsumatorëve, por ka efekt direkt dhe tek ato”, shpjegon Tola për Gazetasi.al.
Eksperti shton dhe se rritja e yield-it është problem edhe për shtetin tonë, një vend me borxh të lartë publik, të indeksuar në tregjet ndërkombëtare, ku po rriten po ashtu interesat e titujve, duke krijuar një kosto më të lartë për pagesën e borxhit publik të Shqipërisë.
“Të vetmit që do të jenë përfitues në këtë histori, janë investitorët, pasi do të sjellë kthim më të lartë për ta”, e mbyll Tola shpjegimin e tij për Gazetasi.al.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




