Ai është gati 1.80cm i gjatë dhe pi duhan, por i riu që qëndron me një grup miqsh në një cep të rrugës së Hasit, një qytet i vogël i strehuar në malet e Shqipërisë veriore, është vetëm 13 vjeç.
Kur ai nxjerr paketën e tij të cigares për të më ofruar një, zëri i tij e bën të qartë se ai është ende fëmijë.
Megjithë rininë e tij, si shumë të rinj, ai është i vendosur të ikë sa më shpejt nga Shqipëria.
“Unë shkoj me një varkë në Angli muajin tjetër”, më siguron me një anglishte gati perfekte, me vetëm një gjurmë të lehtë të theksit shqiptar.
“Gjashtë nga miqtë e mi nga shkolla janë nisur për në vendin tuaj këtë verë. Më mungojnë”.
Ai më thotë se quhet Gjergji, por, ndërsa unë nxjerr fletoren dhe e shkruaj, gjërat fillojnë të bëhen keq.
Duke më rrëmbyer me dhunë bllokun, më kërkon stilolapsin dhe shkarravit mbi emrin.
"Largohu", bërtet ai, ndërsa shokët e tij më rrethojnë duke bërtitur: “Largohu Londër".
Është e qartë se ata nuk janë shumë të dhënë pas të huajve, madje as nga Britania.
“Më shumë djem adoleshentë udhëtojnë drejt Anglisë me varkë, të dëshpëruar nga ky qytet i varfër dhe me gropa, tre orë me makinë nga kryeqyteti, sesa nga kudo tjetër në Shqipëri”, thotë kryebashkiaku i Hasit, 52-vjeçari Liman Morina.
Është një fenomen që është e pamundur të mos e vësh re. Jo vetëm që tregimet e tyre janë në të gjithë rrjetet sociale, por lajmet e televizioneve shqiptare dhe atyre britanike shfaqin pamjet e të rinjve që mbërrijnë në Dover vazhdimisht.
Dhe shumë janë fytyra të njohura për Morinën. Mes emigrantëve, ai vëren rregullisht fëmijë që vetëm disa javë më parë jetonin me familjet e tyre në Has e tani quhen "Londra e Vogël".
I ulur në zyrën e tij, me flamurin e tij shqiptar, një shqiponjë dykrenare në një sfond të kuq, ai tingëllon pothuajse i dëshpëruar.
“Qyteti ynë po zbrazet”, thotë ai. “Ne po humbasim fëmijët tanë, gjakun tonë, ndërsa ata largohen. Këtë verë, djemtë 15 vjeç apo edhe më të vegjël janë zhdukur sepse kalimet me varka tani janë të lira.
Prindërit i lanë të shkojnë. Ata mendojnë se do të jetë një jetë më e mirë në vendin tuaj për fëmijën e tyre. Është një vendim ekonomik”, thotë Morina.
Eksodi i rinisë shqiptare është në qendër të vëmendjes sepse një dosje ushtarake e zbuluar në The Mail fundjavën e kaluar tregoi se pothuajse katër në çdo dhjetë emigrantë në varkat e trafikantëve nga Franca në Angli gjatë një periudhe të fundit prej gjashtë javësh, vijnë nga ky vend i vogël ballkanik.
Të enjten doli se ata janë të vendosur të qëndrojnë.
Më shumë shqiptarë pretendojnë se janë trafikuar ose janë bërë viktima të skllavërisë moderne, një mënyrë për të qëndruar.
Zyrtarët e imigracionit dyshojnë se shumë i bëjnë këto pretendime si një hile për të rritur shanset e tyre për azil dhe për të shmangur dëbimin në Shqipëri, që konsiderohet një vend i sigurt.
Asgjë nga këto nuk po e ndal eksodin nga Hasi. Kryetari i bashkisë, një ish-mësues shkolle, ka katër vëllezër që jetojnë në Leicester, por lutet që tre fëmijët e tij, dy vajza dhe një djalë nga dhjetë deri në 20 vjeç, të mos largohen nga Hasi.
Megjithatë, ai pranon se qyteti i tij 'ndihet pjesë e Londrës' sepse pothuajse çdo familje ka një të afërm të ngushtë që jeton në kryeqytetin anglez ose në një qytet tjetër të madh në Mbretërinë e Bashkuar.
Në javët që nga 24 qershori, kur shkollat e mesme të Hasit u mbyllën për verë, zyrtarët e arsimit këtu thonë se më shumë se 60 djem adoleshentë kanë vendosur të ikin.
Marrja e një vize në Mbretërinë e Bashkuar është e vështirë dhe e kushtueshme, por shqiptarët mund të udhëtojnë pa viza, në Bashkimin Europian përpara se të udhëtojnë në Francën veriore për të hipur në një gomone trafikantësh.
Një zyrtar zbulon se në fund të sezonit të verës, 19-vjeçarët që po largoheshin nga shkolla, u thanë lamtumirë mësuesve të tyre me fjalët "Shihemi në Londër", në vend të fjalës më normale "Shihemi përreth".
“Anglishtja tani është lënda e preferuar në çdo shkollë të mesme. Ata nuk humbasin kurrë një orë mësimore. Ata e dinë se anglishtja është e rëndësishme sepse kanë nevojë për gjuhën për të mësuar në Angli”.
Shkolla e mesme më e madhe në qytet kishte 800 nxënës në vitin 2016.
Deri në fund të sezonit veror të këtij viti, ishin vetëm 480 në listën e shkollës. Pjesa tjetër kishte shkuar në Britani.
Megjithatë shqiptarët dikur ishin një pamje e rrallë në Britani. Deri në rënien e komunizmit tre dekada më parë, shteti i vogël ballkanik ishte një mbretëri vetmitare me pothuajse zero kontakt me botën e jashtme.
Regjistrimi i 1991 në Mbretërinë e Bashkuar, dy vjet pas rënies së Murit të Berlinit, regjistroi vetëm 338 shqiptarë që jetonin aty.
Sot, kjo shifër shkon në dhjetëra mijëra, shumë prej tyre që janë ilegalë pasi nuk kanë të drejtë për azil.
Dhe kështu numrat rriten. Këtë javë Zyra e Statistikave Kombëtare publikoi të dhëna të reja që tregojnë se shqiptarët përbëjnë një nga kombësitë kryesore për foshnjat që janë të lindur nga prindër të huaj.
Nënat shqiptare kanë lindur 3260 fëmijë vitin e kaluar vetëm në Angli dhe Uells.
Sigurisht që në Has po ndodh e kundërta.
Ka më pak fëmijë që lindin ndërsa të rinjtë gjejnë një jetë të re, duke lënë pas vajzat që, në rrethana të ndryshme, do të ishin bërë gratë e tyre.
Vajzat enden nëpër qytet pa asgjë për të bërë.
“Ato thjesht rrinë gjatë gjithë kohës dhe shikojnë thonjtë apo celularët e tyre”, thotë një banakier që ka kushërinj në Mançester.
Ato nuk kanë nevojë të punojnë sepse vëllezërit e tyre u dërgojnë para nga Anglia. Ndërkohë, djemtë me të cilët do të ishin martuar bien në dashuri me vajzat e tjera kur arrijnë atje.
Pakkush i kupton pasojat katastrofike për Hasin më mirë se Isam Kuki, një ish-oficer policie 58-vjeçar, i cili jeton në qytet.
Ai nuk e ka parë djalin e tij Darimin që kur u largua për në Britani shtatë vjet më parë, në moshën 15-vjeçare.
Që atëherë, dy djemtë e mëdhenj të Kukit, në të 30-at, kanë shkuar gjithashtu.
Asnjë nga tre të rinjtë nuk ka leje për të qëndruar përgjithmonë në Britani, megjithëse ata lejohen të punojnë.
Rezultati? Është e vështirë për ta të vizitojnë Shqipërinë për të parë Kukin ose gruan e tij 52-vjeçare që jetojnë në një apartament jo larg qendres se qytetit te Hasit.
"Është një jetë e pakuptimtë kur nuk mund t'i shohësh fëmijët e tu çdo ditë", thotë ai.
Secili prej tyre ka një dëshirë të madhe për të ardhur ti shohin në Shqipëri, por nuk munden.
“Është zemërthyese për familjen time dhe të tjerët si ne. Ne nuk i shohim të rriten nipërit tanë. Ne jemi vetëm këtu”, thotë Kuki.
Darim ndoqi një rrugë të njohur mirë për emigrantët shqiptarë.
Kur ai arriti në Angli në pjesën e pasme të një kamioni në një traget (mënyra e udhëtimit të paligjshëm të migrantëve përpara se trafikantët të rrisnin tregtinë e tyre me varka në 2018), ai u vendos në kujdestari si një i mitur i pashoqëruar.
Ai mbaroi një shkollë me shpenzimet e taksapaguesve britanikë, më pas kolegjin ku ai u trajnua për të qenë hidraulik.
Por në moshën 18-vjeçare ku konsiderohej i rritur, pati një problem kur kërkesa e tij për azil u refuzua dy herë.
Ai vendosi të qëndronte ‘pa letra’, duke jetuar me frikën se mos kapej nga policia dhe deportohej si emigrant ilegal.
Ai punonte ilegalisht me shqiptarë të tjerë në kantiere, duke u dërguar para prindërve dhe duke paguar dy operacione bypass në zemër babait të tij.
Që atëherë ai ka marrë një numër të Sigurimit Kombëtar, por nuk i është dhënë kurrë e drejta e përhershme për të jetuar në Britani.
Babai i tij dhe shumë prindër të tjerë në Has këmbëngulin se është e pamundur të krijosh një jetë të mirë në veri të Shqipërisë. Dhe kjo mund të jetë e vërtetë.
Nuk ka punë të mjaftueshme. Pesë mijë njerëz jetojnë në qytet, shumë në moshë pune, por vetëm 700 kanë punë, 300 prej tyre në sektorin publik punojnë si oficerë policie, nëpunës civilë apo mësues të paguar nga shteti shqiptar.
Shumë familje, madje edhe ato në punë, mbështeten shumë në paratë e dërguara nga Britania nga djemtë e tyre për të përballuar jetesën për shkak të pagave të ulëta.
Çdo verë, emigrantët shqiptarë, të cilët kanë fatin të kenë nënshtetësi britanike ose leje të përhershme qëndrimi dhe kështu janë të lirë të udhëtojnë, vijnë në qytet.
Ata janë të prirur të “bërtasin” për suksesin e tyre, duke mbërritur me supermakina, me dhurata në para për familjet e tyre dhe dhurata nga markat më të mira në Britani.
Disa ngasin Lamborghini ose Maserati të marra me qira për këtë rast..
Kjo shfaqje e pasurisë në rrugët e varfëra nuk kalon pa u vënë re nga të rinjtë si Gjergji, të cilët ëndërrojnë të largohen nga qyteti sepse kanë një të ardhme të pashpresë.
“Ato mendojnë se do të fitojnë para dhe së shpejti do të ngasin supermakina gjithashtu, nëse jetojnë në Britani”, thotë Blerim Rexhaj, 24 vjeç, pronari i ‘Britain', një bar i ri i mbushur me klientë që pinë kafe.
Çuditërisht, ai është kthyer në qytetin e tij nga Londra Perëndimore për të vazhduar jetën e tij.
Pasi bëri rrugën e tij me një kamion në moshën 14-vjeçare, ai u vu nën kujdes si një fëmijë emigrant i pashoqëruar dhe vazhdoi të studionte inxhinieri elektrike në një kolegj në Uxbridge.
“Shkova në Mbretërinë e Bashkuar sepse kam një dajë që jeton atje, i cili më premtoi se do të më ndihmonte”, shpjegon ai në lokalin e tij.
“Ai ka prona me qira dhe drejton dy lavazhe. Kur u largova nga kolegji, ai më ofroi mundësinë të punoja për të. Kam kursyer para. Kam bërë orë të gjata për të dhe shumë punë të tjera gjithashtu", thotë 24-vjeçari.
Edhe pse ai nuk u deportua nga Britania, ai kurrë nuk mori leje zyrtare nga Home Office për të qëndruar përgjithmonë. E la në harresë dhe kjo e shqetësoi.
Vitin e kaluar, ai u kthye në Has dhe përdori paratë që kishte fituar në Britani për të ngritur lounge bar-in e tij me dy vëllezërit e tij, të cilët nuk ishin larguar kurrë nga qyteti.
Ka qenë një detyrë e vështirë. Picat i gatuan vetë, sepse nuk gjen staf. “Gjashtë nga kamarierët dhe kuzhinierët e mi janë larguar për në Britani brenda pak muajsh. Është një gjë e trishtueshme për Hasin”.
Ai tregon një supermakinë të zezë jashtë me targa GB. Pronari? Një shqiptar me banim në Croydon, në Londrën Jugore, i cili po viziton qytetin e tij të lindjes për të treguar suksesin e tij në Mbretërinë e Bashkuar dhe për të sjellë para për familjen e tij.
Në periferi të Hasit po ndërtohen pallate nga emigrantët që duan një vend të jetojnë kur kthehen me pushime apo të shohin familjet e tyre.
“Është e pamundur që njerëzit të mbijetojnë këtu sepse nuk ka punë”, thotë Morina.
“Pagat e atyre pak që kanë punë janë të ulëta. Edhe pse drejtoj qytetin, marr vetëm 680 paund në muaj. Por kostoja e jetesës, ushqimi, karburantet janë po aq të larta sa në Britani. Do të përballeshim me një fatkeqësi të madhe nëse fëmijët nuk do të shkonin sepse u dërgojnë para nënave, baballarëve, vëllezërve dhe motrave të tyre. Më shumë se tetë në dhjetë familje mbështeten në këtë. Edhe ato që kanë punë marrin ndihmë shtesë nga fëmijët e tyre në Angli”, thotë Morina.
Pas tavolinës së tij në një raft është një fotografi e Mbretëreshës, me një kapelë, duke buzëqeshur.
Kryebashkiaku thotë se ai do të vendosë një statujë të Mbretëreshës në qendër të qytetit në një rrethrrotullim.
Paratë për financimin e kësaj ideje të jashtëzakonshme do të mblidhen nga apeli i tij për donacione nga mijëra emigrantë nga Hasi që jetojnë në Britani.
“Unë mendoj se emigrantët do të jenë bujarë”, thotë ai me shaka.
Më pas ai shton me një ton më serioz se “lidhjet mes vendeve tona janë aq të ngushta, sa njerëzit e qytetit tim e ndjejnë mbretëreshën tuaj edhe mbretëreshën e tyre”.
*Shkrim i shkruar nga një gazetar i Daily Mail. Disa emra janë ndryshuar.
Përshtati në shqip: Gazeta "Si"
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.