Gazeta Si – Ish-shefit të Policisë së Postës së Dhërmiut Sokol Bode, i është komunikuar masa e arrestit në burg, si dhe dënimi i dhënë në mungesë nga Gjykata e Shkallës së Parë.
Pas dhënies së gjeneraliteteve përpara gjyqtares në Gjykatën e Posaçme, ndaj Bodes u vendos vazhdimi i masës së sigurimit ‘arrest me burg’.
Ai u arrestua në Berat mbrëmjen e 11 gushtit pas 5 vitesh në arrati dhe më pas u transportua për në Tiranë.
Bode në prill u dënua me 8 vite heqje lirie për trafik të lëndëve narkotike e grup kriminal.
Sokol Bode kishte 4 ditë që ishte kthyer nga Britania, ku qëndronte i fshehur pas shpalljes në kërkim dhe dënimit në mungesë për përfshirje në trafik droge.
43-vjeçari u shpall fajtor pasi SPAK e akuzonte si bashkëpunëtor të grupit të Habilajve. Bode i hetuar në të njëjtën dosje me ish ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri, dhe ish drejtorin e policisë Vlorë Jaeld Çela të dy të dënuar me nga 3.4 vite burg.
Në dosjen e dorëzuar në Gjykatë për grupin “Habilaj”, u renditën si provë e bashkëpunimit të anëtarëve të grupit me Policinë edhe disa përgjime telefonike.
Mes tyre, ishte biseda e Florian Habilajt me ish-shefin e Policisë Kufitare në Dhërmi, i cili e telefonon vetë për ta takuar në lagjen “Çole” në Vlorë.
Ndërsa janë zbardhur edhe disa biseda të përgjuara mes Armando Koçerrit, që u arrestua gjatë operacionit të Babicës, me motrën e tij, e cila e informon për aksionin e policisë që po zhvillohej në fshat.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.