Treg

Yield-et e Bonove 1 vjeçare prekin nivelin më të lartë prej vitit 2017

Yield-t e Bonove 12 mujore të qeverisë shqiptare kaluan kufirin e 3% në ankandin e parë të muajit gusht.

Sipas Bankës së Shqipërisë, Bonot 12 mujore u emetuan me një yield mesatar të ponderuar prej 3.04%, nga 2.84% që kishte qenë ky tregues në ankandin e mëparshëm. Ky është niveli më i lartë i yield-it të këtyre instrumenteve që prej korrikut të vitit 2017.

Edhe Bonot me maturim 6-mujor shënuan një rritje të mëtejshme në 2.37%, nga 2.1% që kishte qenë yield-i mesatar në emetimin e mëparshëm.

Ankandet u zhvilluan më datë 2 Gusht, një ditë para se Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë të vendoste një tjetër rritje të normës bazë të interesit me gjysmë pikë përqindje, rritja e tretë që prej muajit mars dhe që e çoi normën bazë të interesit në nivelin 1.75%. Kjo rritje pritet t’i japë një shtysë të mëtejshme yield-eve në ankandet e radhës.

Rritja e yield-eve ka filluar tashmë të reflektohet edhe në interesat e depozitave bankare. Disa prej bankave po ofrojnë norma të dukshme në rritje interesi për depozitat, edhe me qëllimin për të qenë sa më konkurrues gjatë periudhës verore, që shoqërohet me flukse në rritje të depozitave të publikut.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë