Treg

Pse çmimet e naftës në Shqipëri nuk ndryshojnë kur në bursa kanë 1 javë që kanë rënë?

Nga Megi Iskurti – Ndonëse në bursa treguesi Brent, çmimi i naftës së papërpunuar, po arrin nivelet e para luftës duke rënë në rreth 94 dollarë për fuçi, në tregun vendas nafta po tregtohet me 220 lekë për litër nga rreth 190 që ishte në muajin shkurt.

Rënia e naftës vetëm me 1 lekë të shtunën nga Bordi i Transparencës (6 gusht) ka shqetësuar shoqatat e biznesit të cilat kanë kërkuar reflektim të çmimeve në tregun vendas duke shtuar se çmimi i naftës në Shqipëri ka mbetur prej shumë kohësh ‘i fiksuar’.

Por Luigj Aliaj, Kreu i Shoqatës së Hidrokarbureve thotë për Gazetasi.al se nuk mund t’i referohemi çmimit të naftës bruto dhe të presim që nafta të ulet menjëherë në Shqipëri sapo ndryshon ky tregues.

Luigj Aliaj, Kreu i i Shoqatës së Hidrokarbureve

“Duhet të jemi të qartë që kur nafta ishte 1300 dollarë/ton që ishte edhe kulmi në muajin mars, çmimi në tabela në Shqipëri ishte 260 lekë litri. Sot çmimi është rreth 220 lekë litri dhe çmimi dollarë/ ton ka zbritur në 930.

Pra rreth 400 dollarë/ton ka dhe rreth 40 lekë për litër është ulur në tregun e pakicës. Pothuajse është pasqyruar totalisht rënia.

Është shumë e rëndësishme që të nisemi në bursat përkatëse. Nuk duhet të ngatërrojmë që çmimi që ne shohim është çmimi i aksioneve të një fuçie nafte të papërpunuar dhe jo një toni.

Duhet kuptuar që askush në botë sot nuk shet dhe blen naftë me fuçi, ajo është njësi konvencionale që u përket aksioneve që kuotohen në bursa”, thotë Aliaj duke shtuar se tregon efekte por jo e gjitha pasqyrohet në çmimin e naftës.

Çmimi i naftës së përpunuar Brent në Bursa (USD/fuçi) gjatë 6 muajve të fundit

Ai thekson që nuk mund të veprohet sikur çdo stacion karburanti në Shqipëri të jetë i lidhur mënjëherë me bursat e Londrës.

“Nafta zbret gjithnjë avash në tregun e pakicës sepse ai që është furnizuar dje, çfarë do shesë?

Nuk duhet të nisemi nga fuçia pasi nafta ka çmimin e saj dhe kuotohet dollarë për ton. Është si të marrësh vesh që ka rënë çmimi i drurit në Amazon dhe të presesh të bie menjëherë çmimi i mobilerive në Tiranë”, thotë Aliaj për Gazetasi.al.

Një arsye tjetër që sipas tij ndikon në mosreflektimin e menjëhershëm është dhe fakti që dollari është rritur në 114 nga 106 lekë që ishte në fillim të muajit mars dhe nafta blihet me dollarë.

Gjithashtu, Aliaj shton ndër të tjera për Gazetasi.al se janë trefishuar edhe kostot e transportit detar dhe një pjesë e rafinerive në Europë janë mbyllur.

“Naftën ne e merrnim në jug të Italisë dhe të Spanjës. Sot, kostot detare janë shtrenjtuar aq shumë dhe ne po detyrohemi që ta marrim naftën në Izrael dhe jo në tregun e Mesdheut që ishte furnitori kryesor për vendin tonë. Kompanitë europiane po heqin dorë nga blerja e naftës nga Rusia”, shton Aliaj mandej për Gazetasi.al.

Situata është në dëm të kompanive të cilat po detyrohen të gjejnë metoda për të mbijetuar në treg.

Konfindustria: Të shkrihet Bordi i Transparencës

Ndërkohë, Konfindustria ka kërkuar sërish sot (8 gusht) shkrirjen e Bordit të Transparencës dhe ngritjen e Entit Rregullator të Karburanteve(ERK).

“Bordi i Trasparencës në gjithë vendimarrjet e tij ka vepruar në dëm të interesit publik, duke favorizuar qartësisht kartelin e karburanteve, sidomos në çmimet e  tregut të shumicës dhe tarifat e operacioneve portuale dhe depozituese, si dhe shtimin e sforcuar të të ardhurave publike me pasoja të rënda për qytetarët, biznesin dhe ekonominë kombëtare në afatgjatë.

Rasti më i qartë i vendimarrjes klienteliste të Bordit të Trasparencës është i datës 6/8/2022. Me një akt qartësisht sfidues ndaj interesit publik dhe pa asnjë shpjegim teknik shoqërues nga BT çmimi i naftës u ul me vetëm 1 lek/litër, të paktën 20 here më të vogël, sesa bëhej e mundur nga vlerësimet krahasimore të rënies së çmimeve në bursat ndërkombëtare. Çmimi i naftës me pakicë duhej të ishte nën 200 lekë/litër”, thotë Konfindustria në reagimin e saj.

Më tej shton se Shqipëria ka sot çmimet e karburanteve nga më të lartët në botë  dhe kostot e abuzimit në sektorin e karburanteve shoqëruar dhe me kontrabandën masive në dëm të buxhetit të shtetit, mund të arrijnë deri në 500 milionë/vit në dëm të bizneseve, qytetarëve dhe ekonomisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë