Kinema

Olivia Newton-John, lamtumirë vajzës së përjetshme të ‘Grease’

John Travolta: “Ju e keni bërë jetën tonë më të mirë. Ndikimi juaj ishte i pabesueshëm”.

Nga Gazeta Si - Për të gjithë botën do të mbetet Sandy, vajza bionde që bëri Daniel “Danny” Zuko të dashurohej te filmi “Grease”.

Muzikali, në vitin 1978, e ktheu në yll aktoren e rritur në Australi. Olivia Newton-John, e cila vdiq në moshën 73-vjeçare pas një beteje të gjatë me kancerin, ishte një grua pozitive dhe e fortë që fliste për sëmundjen duke inkurajuar veten dhe të tjerët.

“Zonja Olivia Newton-John vdiq paqësisht këtë mëngjes në fermën e saj në Kaliforninë Jugore, e rrethuar nga familja dhe miqtë. Kërkojmë nga të gjithë që të respektojnë privatësinë e familjes në këtë kohë shumë të vështirë”, ka shkruar bashkëshorti John Easterling. “Olivia ka qenë një simbol i triumfit dhe shpresës për më shumë se tridhjetë vjet, duke ndarë rrugëtimin e saj me kancerin e gjirit. Frymëzimi i saj në shërimin dhe përvojën pioniere me mjekësinë bimore vazhdon me Fondacionin Olivia Newton-John”.

Vitin e kaluar kostumet, sendet personale, të gjithë aksesorët e Sandy u nxorën në ankand për bamirësi. Ajo foli me të gjithë për sëmundjen dhe kishte mundur të mbështetej te miqtë e një jete, para së gjithash te John Travolta. “Do të takohemi sërish gjatë rrugës dhe do të jemi sërish të bashkuar, sërish bashkë. Unë kam qenë gjithmonë me ty që në momentin e parë që të pashë dhe do të jem gjithmonë. Dani yt, Xhoni yt”. Me këto fjalë përfundon kujtimi prekës që Travolta i ka kushtuar në rrjetet sociale. “E dashur Olivia ime - ke bërë kaq shumë për ta bërë jetën tonë më të mirë. Ndikimi juaj ka qenë i pabesueshëm”.

Bionde, me një buzëqeshje të ndritshme, sy të mëdhenj blu, ajo lindi në Kembrixh të Anglisë dhe u zhvendos në Australi si fëmijë me familjen e saj. Ajo kishte themeluar një grup të quajtur “Soul Four”. Si soliste, ajo fiton një konkurs për talente të reja: çmimi është një udhëtim në Angli. Gjatë qëndrimit të saj në vitin 1966, ajo regjistroi këngën e parë “Till you say you’ll be mine”. Në vitin 1970 ajo këndoi me grupin Tomorrow, i cili shpejt u shpërbë dhe Newton-John filloi bashkëpunimin e saj me Bruce Welch, por John Farrar është autori dhe producenti i hiteve të saj më të mëdha. Në vitin 1974 ajo fitoi vendin e katërt në Eurovizion me “Long live love”.

Në të njëjtin vit u publikuan këngët “If you love me” (Let me knoë) dhe “I honestly love you”, me të cilat ajo fitoi Grammy për interpretimin më të mirë vokal femëror pop dhe albumin më të mirë. Në vitin 1978, ishte pika e kthesës: asaj iu caktua pjesa e Sandy në filmin “Grease”. Vajza e mirë fqinje, me flokë të hapur dhe streçe të zeza, bëhet simbol për miliona vajza.

Në një video-intervistë me “Us Weekly” – në krah të vajzës së saj Chloe Lattanzi, 35 vjeç, (vajza nga bashkëshorti i saj i parë) – aktorja kishte folur për puthjen e parë në film me Travoltën: “Isha nervoze, por ishte shumë e veçantë”, shpjegoi ajo, “Ne ishim në plazh gjatë skenës hapëse të filmit. Ishte një mënyrë shumë e bukur për të njohur John, ne nuk kishim kaluar aq shumë kohë së bashku”. Një miqësi e përjetshme me Travoltën.

Vitin e kaluar aktorja foli për sëmundjen: “Kam jetuar më shumë nga sa prisnin shumë njerëz dhe dua t’i tregoj botës se kanceri nuk është një dënim me vdekje. Unë jam mirë, jam e fortë. Mendoj se është shumë e rëndësishme të mbash një mesazh pozitiv”. Në 2017 rikthimi i sëmundjes. “Menjëherë ndjeva se diçka nuk shkonte. Kur kthehet është shqetësuese, edhe pse mendova se do ta kaloja sërish. Çdo ditë është një bekim, nuk e dini kurrë se kur do t’ju mbarojë koha. Ne të gjithë kemi kohë të kufizuar në këtë planet dhe ne vetëm duhet të jemi mirënjohës. E shoh si një udhëtim të jetës sime. Më dha një qëllim, më mësoi shumë për dhembshurinë. Një dhuratë. Natyrisht që nuk ia uroj askujt, por për mua ishte një rrugë e rëndësishme”. Përveç trajtimeve tradicionale, ajo kishte treguar për përdorimin e kanabisit mjekësor: “Në fillim isha nervoze, por më pas pashë përfitimet. Ndihmon me ankthin, gjumin dhe dhimbjen. Nuk po them të mos bëj terapi, por thjesht dua të ndihmoj kërkimin dhe të zbuloj se çfarë funksionon”.

Marrë nga La Repubblica, përshtati në shqip Gazeta Si


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë