Treg

Kafenë më të lirë në Europë e gjeni në Tiranë

Gazeta Si – Ndonëse në Tiranë kafeja tani po kushton më shumë si reflektim i krizës së çmimeve, mbetet kryeqyteti ku ekspresi ka çmimin më të lirë se në gjithë qytetet e tjera europiane, sipas revistës së udhëtimeve TravelBook.

Në indeksin e saj ‘Expresso-Index’ u analizuan dhe krahasuan më shumë se 400 menu në 42 qytete ku sipas gjetjeve, mesatarisht një filxhan kafe në Europë kushton rreth 4 euro.

Sa më shumë të shkoni nga lindja drejt jugut, aq më shumë do të ulet çmimi i saj. Është veçanërisht e lirë në pothuajse të gjitha vendet e Ballkanit dhe në Gadishullin Iberik, sipas studimit.

Ndonëse ekspresi e ka origjinën në Italinë veriore, shqiptarët konsiderohen si një ndër popujt më kafedashës dhe frekuentues të mëdhenj të kafeneve, duke i shëndërruar ato në një ‘tempull’ ku çlodhen, bëjnë takime pune, familjare e kësisoj.

Aktualisht, në vend sipas të dhënave nga INSTAT ka rreth 14 mijë bare dhe rreth 4 mijë restorante, duke na bërë ndër të parët në botë për numrin e lokaleve në raport me popullsinë. Ky segment ka dhe nivelin më të lartë të vetëpunësimit në vend, me rreth 37% të totalit.

Sipas studimit, çmimet më të larta të kafeve janë në Danimarkë ku kafeja mesatarisht kushton 4 euro, Zvicër 3.96 euro më tej në Islandë, Paris, Vjenë e Londër.

Ndërsa në Tiranë, një filxhan kafeje ka çmimin më të lirë, mesatarisht 0.70 cent, pra 3.30 euro më pak se në Kopenhagën i cili konsiderohet si kryeqyteti i “kafesë së shtrenjtë”.

Edhe në Kosovë, ku po zhvillohet Bienalja Europiane e Artit Bashkëkohor, Manifesta 2022, kafeja kushton lirë, mesatarsisht 0.90 euro.

“Në katër vende europiane, çmimi mesatar i një ekspresi është edhe më pak se një euro: San Marino, Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoninë e Veriut”, thuhet në studim.

 Në Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoninë e Veriut, ka pasur një kulturë gjithnjë e më të gjallë të kafesë në vitet e fundit dhe mund të ndihen edhe ndikimet e mëparshme të Perandorisë Osmane, vijon ai më tej.

“Prandaj, çmimet janë të ulëta, pasi kafeja, ekspresi dhe moka janë pjesë integrale e jetës së përditshme. Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut zënë dy vendet e fundit si në Indeksin e Ekspresit ashtu edhe në GDP.

Edhe në vendet ku pushimet më të gjata të drekës (siestat) janë normë, ekziston një kulturë e gjallë e kafesë. Kushdo që ka qenë ndonjëherë në Lisbonë e di se shumë dyqane dhe restorante mbyllen për rreth dy orë në mesditë. Gjatë kësaj kohe punëtorët pushojnë dhe nganjëherë pinë një “Bica”, siç e quajnë ekspresin në Lisbonë”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë