Ballkani Perëndimor vazhdon të fitojë miliona euro nga trafiku i armëve dhe pajisjeve ushtarake në të gjitha zonat e konfliktit, sidomos në Siri, Jemen, Irak dhe Turqi. Dokumenti më i fundit nga Zyra për Kontrollin e Armëve të Vogla dhe të Lehta në Europën Jug-Lindore (SEESAC), zbuloi se Shqipëria, Serbia, Mali i Zi, Bosnja dhe Maqedonia i shitën Arabinë Saudite më shumë se 118 milion euro armë dhe municione.
Edhe pse Gjermania dhe Franca kanë ndërmarrë një nismë për çarmatosjen e Ballkanit deri në vitin 2024, popullsia civile vazhdon të jetë e pajisur me armë të vogla duke rrezikuar seriozisht sigurinë në rajon. Në një intervistë të fundit me DW, eksperti Marcus Bleinroth shprehet situata vazhdon të jetë alarmante dhe se Ballkani trafikon armë në pothuajse të gjitha zonat e konfliktit.
“Gjermanët mendojnë se siguria në Ballkanin Perëndimor është problem. Ata nisen nga ngjarje dhe fakte: Në sulmin terrorist në Paris, në sallën e koncerteve në Bataclan, në 2015, armët që përdorën terroristët e kishin origjinën nga Ballkani Perendimor. Një incident i tillë e bën popullsinë në Gjermani të mendojë që…ja pra, Ballkani është rajoni nga vijnë armët dhe më pas të sjellin ndërmend ngjarje të tilla si luftërat në ish-Jugosllavi dhe ta perceptojë sigurinë në BP si problematike. Ky perceptim që është i përgjithshëm në vendet e BE për Ballkanin duhet të ndryshojë”, shprehet ai.
Eksperti gjerman përmend edhe Shqipërinë si një rast të veçantë, për shkak të hapjes së depove të stokut të armëve në vitin 1997, duke thënë se: Shqipëria është ndryshe nga vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor. Nuk ka qenë pjesë e ish-Jugosllavisë dhe e luftërave të saj civile. Por nga stoku i armëve që ra në duart e popullsisë civile ende nuk është e qartë, sasia që mungon, sasia që nuk është mbledhur. Qeveria shqiptare na ka thënë se mund të jene 200- 300 mijë copë. Vende të tjera të Ballkanit, si Bosnja e cila ka 800 mijë, shumë më tepër se Shqipëria. Pavarësisht nga këto shifra, kemi të dhëna që këto armë trafikohen në vendet e BE dhe në vendet ku ka konflikt si në Siri. Kudo ku ka treg për ato.
Sipas Bleinroth sida kryesore e vendit tonë për ndalimin trafikimit të armëve është siguria në kufi. “Kufijtë në Shqipëri nuk janë të sigurt. Trafiku vazhdon. Nuk kemi informacion të saktë sesa armë trafikohen, sepse kapacitetet teknike nuk janë të shtrira kudo. Situata është e tillë edhe në vende të tjera të rajonit. Sfida tjetër është zbatimi i ligjit dhe funksionimi i reformës në drejtësi do të bëjë që qytetari të besojë tek drejtësia dhe jo arma. Mbajtja e armës nga burrat ka edhe një ҫështje gjinore: viktimat prej burrave që kanë armë janë kryesisht gratë dhe vajzat, dhuna në familje”, shprehet ai.
Të të njëjtim mendim janë edhe shumë ekpertë të tjerë, të cilët shprehen se për fat të keq armët janë pjesë e kulturës ballkanase.
Si përfundojnë armët e Ballkanit në zonat e konfliktit
Ballkani është një kanal kryesor për trafikimin e armëve në Europën Perëndimore. Efektet vdekjeprurëse të kësaj tregtie u sollën në vëmendjen në vitin 2015, kur xhihadistët të pajisur me pushkë të epokës jugosllave vranë më shumë se 130 njerëz në rrugët e Parisit. Në vitin 2016, Agjencia Europiane për Menaxhimin e Kufijve të Jashtëm (Frontex) raportoi për rreziqet e kontrabandimit të armëve nga Ballkan, duke theksuar se blerja e pushkëve dhe kallashnikovëve është bërë më e lehtë, pasi shkalla e trafikimit të armëve në rajon është rritur si rezultat i krizës së emigrantëve. Mitralozë, eksplozivë dhe municionet nga Ballkani, të identifikuara nga videot dhe fotot e postuara në mediat sociale, u përdorën gjerësisht në Siri, si nga ushtria e presidentit sirian, Bashar al Assad ashtu edhe luftëtarët e grupeve islamike si al-Kaidës, Jabhat al-Nusra dhe Shteti Islamik.
Armët janë dorëzuar nga ajri dhe nga deti. Duke ndjekur lëvizjen e avionëve dhe anijeve, gazetarët e BIRN kanë zbuluar një vit më parë rrugën që përdoret për transportin e armëve në zonat e konfliktit. Beogradi, Sofja dhe Bratislava dolën si shpërndarësit kryesor të armëve nga transporti ajror. Autoriteti i aviacionit të Serbisë konfirmoi se 49 fluturime që po transportonin armë. Ndërsa statistikat e fluturimit të BE-së zbuluan se avionët nga Bullgaria dhe Sllovakia kanë dorëzuar mijëra ton ngarkesa të paidentifikuara që nga vera e vitit 2014 në të njëjtat baza ushtarake në Arabinë Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe. Armët e blera nga sauditët, turqit, jordanezët dhe Emiratet e Bashkuara Arabe janë shpërndarë në dy qendra operative në Jordani dhe në Turqi.
Më pas ato transportohen në kufirin sirian me makina ose me avionë ushtarakë. Një artikull i “The Guardian” zbuloi se sauditët dhe turqit gjithashtu kanë furnizuar më armë grupe islamike që nuk janë mbështetur nga SHBA-ja. Rreth 4,700 ton armë nga Varshava, të cilat përfshirë armë të rënda, raketa, anti-tank, plumba, mortaja, granata, raketa dhe eksplozivë të tjerë, janë dërguar nga Bullgaria dhe Rumania në objekte ushtarake në Jordani dhe Turqi.
Trafikimi i armëve nga Ballkani u vu sërish në qendër të vëmendjes së Perëndimit këtë shtator, pas publikimit të disa fotografive që tregojnë se armët serbe përdoren në konfliktin e Jemenit. Muajt e fundit, armët serbe janë vërejtur në të dyja anët në konfliktin e Jemenit, si në duart e luftëtarëve të mbështetur nga Arabia Saudite ashtu dhe rebelët Houthi, edhe pse asnjë nga vendet e Ballkanit nuk eksporton zyrtarisht armë në Jemen, për shkak të embargos së OKB-së. Në shator të këtij viti një tjetër përdorues i Twitter-it publikoi fotografinë e një luftëtari të Ushtrisë së Jemenit që mbante një pushkë Zastava M05, të prodhuar në Serbi. Shumë ekspertë ngrenë alarmin se armët e blera nga Ballkanit i jepen milicive të ndryshime në Siri dhe Jemen.
Ivan Zverzhanovski, drejtori i programit të Kombeve të Bashkuara kundër trafikut të paligjshëm të armëve thotë se “një armë e blerë për 250 deri në 500 euro në tregun e zi ballkanik mund të shitej për 3.000 deri 5.000 euro në vendet europiane.
“Duke qenë se 25 milionë njerëz në Ballkanin Perëndimor që posedojnë 6.2 milion armë, është e lehtë ta bësh një treg i tillë tejet fitimprurës.”
Tregtia e armëve në Ballkan
Raporti i SEESAC për vitin 2016 thotë se vlera e përgjithshme e eksporteve të armëve nga Shqipëria, Serbia, Maqedonia, Bosnja dhe Mali i Zi arriti në 514.6 milion euro.
Atë vit Shqipëria shiti 1.28 milionë euro armë, Mali i Zi, 1.13 milionë euro dhe Maqedonia 1.21 milion euro. Ndërkohë sasia e armëve të shitura nga Serbia arrinte në 406.6 milionë euro, ndërsa Bosnja kapte vlerën e 104.3 milionë eurosh. Sipas ekspertëve, 8 për qind e eksportit të armëve nga rajoni kanë të bëjnë me bomba, silur, raketa dhe pajisje të tjera shpërthyese. Por si përfundojnë këto armë në zonat e konfliktit dhe kush janë “blerësit” kryesorë të armëve nga Ballkani?
Arabia Saudite mbetet një nga destinacionet kryesore të eksportit të armëve nga Ballkani, së bashku me Afganistanin, Irakun dhe Algjerinë. Vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë këtu edhe Shqipërinë, morën më shumë para nga shitja e armëve në Lindjen e Mesme(187.6 milionë euro në total) sesa BE-ja (54.6 milionë euro) dhe Amerika e Veriut (72 milionë euro). Sipas SEESAC, në dy vitet e fundit, Arabia Saudite ishte blerësi më i madh i armëve dhe municioneve më të vjetra nga rajoni. Në vitin 2015, vetëm Serbia ka shitur rreth 200 milionë euro me armë dhe municion në tregun saudit.
Në 2016, Afganistani bleu 23 milionë euro armë nga vendet e Ballkanit, ndërsa Algjeria 73.2 milionë euro së bashku me Irakun. Raporti i SEESAC gjithashtu zbuloi se Turqia po bëhet gjithnjë e më e interesuar për armët nga Ballkani.
Burimet: “BIRN”, “The Guardian”, “DW”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.