Ne rrjet

Marrëveshja e grurit Rusi-Ukrainë do të lehtësojë krizën ushqimore. Nis ulja e çmimeve

Mungesa botërore e grurit ukrainas që nga lufta e nisur nga Rusia më 24 shkurt, ka lënë miliona njerëz në rrezik urie. Përshkallëzimi i konfliktit bëri që çmimet e ushqimeve të rriteshin, kështu që marrëveshja për zhbllokimin e porteve të Ukrainës është vendimtare. Rreth 20 milionë tonë drithë kanë ngecur në kapanone vetëm në Odesa.

Në mes të ndërprerjes së prodhimit bujqësor ukrainas dhe bllokimit të eksportit të produkteve të mbetura, lufta e Rusisë në Ukrainë mund të shtyjë 49 milionë njerëz në uri ose kushte të ngjashme me urinë, paralajmëruan Kombet e Bashkuara muajin e kaluar, gjë që nxori në pah rëndësinë e madhe të kësaj marrëveshje.

Zyrtarët perëndimorë akuzuan Rusinë për mbytje të qëllimshme të zinxhirit të furnizimit global. Shefja e Komisionit Europian Ursula von der Leyen tha se ushqimi ishte pjesë e “arsenalit të terrorit” të Kremlinit dhe SHBA-ja e akuzoi atë se kishte “armatosur” ushqimin.

Ujdia do të lehtësojë eksportet e grurit dhe fertilizuesve të Rusisë përmes Detit të Zi. Marrëveshja, e ndërmjetësuar nga Turqia dhe OKB, u përshëndet dhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Perspektiva e një marrëveshjeje mes dy vendeve për t’i hapur rrugën transportit të grurit është pasuar nga një rënie të dukshme të çmimeve.

Çmimi i grurit në Çikago, një pikë referimi kyç për tregun global, u ul me më shumë se 3% të premten(22 korrik) në mëngjes, ndërsa gruri bluar ishte më shumë se 4%.

Çmimi në Mbretërinë e Bashkuar, një pikë referimi evropian për grurin për ushqim (të përdorur për kafshët), u ul me pothuajse 3%.

Ministri rus i Mbrojtjes, Sergei Shoigu ka mbërritur në Stamboll për të nënshkruar dokumentet e marrëveshjes së grurit.

A ka mjaftueshëm anije për të eksportuar grurin e Ukrainës?

Marrëveshja është padyshim një lajm i mirë për furnizimin global të ushqimit.

Por edhe pasi të jetë rënë dakord, mund të ketë një pengesë tjetër për eksportimin e ushqimit nga Ukraina.

John Stawpert, nga Dhoma Ndërkombëtare e Transportit, ka thënë për programin World at One të BBC Radio 4 se nuk ka mjaft anije në portet e Ukrainës për të transportuar grurin.

Stawpert tha: “Në fillimin e luftës kishte 2000 detarë të ngecur në anije në portet e Ukrainës dhe në portet në anën tjetër të Krimesë.

Tani ka zbritur në 450, kështu që ne do të duhet të shikojmë se si t’i ekuipazhojmë në mënyrë efektive ato anije.”

Ai tha se vlerësohet se do t’ju duheshin 400 transportues me shumicë për të lëvizur të gjithë grurin – “ky nuk është numri i anijeve që janë në të gjitha ato porte”.

“Ne vlerësojmë se janë rreth 109 anije të bllokuara aktualisht në ato porte,” thotë Stawpert.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë