Sulmi kibernetik i pikasur që prej mesditës së të premtes është sprapsur, ndërsa tashmë ka nisur puna për të siguruar provat për të identifikuar se kush qëndron pas tij.
“Agresioni kibernetik ka ngjallur një shqetësim shumë të madh. Një agresion masiv kibernetik mbi Shqipërinë është zmbrapsur përfundimisht dhe shërbimet për publikun të e-Albania janë rikthyer masivisht dhe mbetet një numër i vogël i tyre për t’u rikthyer”, deklaroi Kryeministri Edi Rama këtë të enjte.
Kreu i Qeverisë doli para gazetarëve, ku mes të tjerave akuzoi një pjesë të mediave se kanë shpifur në lidhje me këtë sulm kibernetik.
Ai përsëriti se sulmi nuk ka prekur sistemet dhe se pas tij qëndrojnë dy vende jomiqësore me Shqipërinë, pa përmendur emra.
“Sulmi nuk është i organizuar nga hakera të zakonshëm dhe as nga grupe njerëzish të kësaj bote të errët që bëjnë shpesh ndërmarrje të tilla edhe ndaj shteteve shumë më të mëdha e të fuqishme, duke bllokuar sisteme kritike për të vendosur gjoba të majme. Nuk kemi ende të gjitha provat për të përcaktuar një prej dy shteteve fortësisht të dyshuara. Shpresojmë ta bëjmë në vijim dhe kjo është pjesa më delikate e hetimit”, u shpreh Rama.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




