Nga Gazeta “SI” – Në muajin qershor 2022, eksportet e mallrave arritën vlerën e 46 mld lekëve, ndërsa importet 81 mld lekë, me rritje 32% dhe 21% në raport vjetor, respektivisht.
Në krahasim me muajin maj, rritja e eksporteve raportohet 2.5% dhe e importeve 2%.
Deficiti tregtar i qershorit është 35 mld lekë, 9% më i lartë se i qershorit të shkuar dhe 1% më i lartë se i muajit maj.

Për të gjithë gjashtëmujorin, eksportet e mallrave arritën vlerën 253 mld lekë dhe importet e mallrave arritën vlerën 446 mld lekë.
Kontributin më të madh në rritjen e eksporteve në një vit, sipas Instat, e ka dhënë grupi i materialeve të ndërtimit dhe metaleve, me 11%, ndjekur nga produktet kimike dhe plastike me 7%. Edhe për gjashtëmujorin, vendin e parë për rritjen e eksporteve e zë grupi i materiale ndërtimi dhe metale me 14%, minerale lëndë djegëse dhe energji elektrike me 12%.
Ndërsa në rritjen e importeve, kontributin më të madh e ka dhënë grupi i mineraleve, lëndëve djegëse dhe energjisë elektrike, me 11%. Ndjekur nga ushqime, pije dhe duhan me 3.3%.
Në rritjen gjashtëmujore të importeve, kanë ndikuar më së shumti grupi minerale, lëndë djegëse dhe energji elektrike me 11%, materiale ndërtimi e metale 5% dhe ushqime, pije, duhan me 4%.
Në muajin Qershor 2022, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të eksporteve, në krahasim me Qershor 2021 janë Italia me 32 %, Greqia 77% dhe Spanja 54%. Ndërsa rënie ka pasur me Kosovën, 1.6% dhe Maqedoninë e Veriut 1.2%.
Vendet me të cilët ka pasur rritje më të madhe të importeve, në raport vjetor, janë Italia me 12.6%, Kina 6% dhe Greqia 15.6%
Ndërsa vendet me të cilat importet kanë pasur uljen më të madhe, janë Turqia 4% dhe Gjermania 10%.

Këto matje, të publikuara nga Instat, tregohen vetëm në vlerë dhe jo sasi dhe rritja në vlerë e tregtisë së jashtme, nuk do të thotë rritje në volum.
Në raportin 5 mujor të tregtisë së jashtme, sipas Instat që i publikon ato në vlerë, tregonte se eksportet ishin rritur me 37% në raport me 5 mujorin e 2021-shit. Por sipas buletinit 5 mujor nga Dogana, që i publikon ato edhe në peshë, eksportet për këtë periudhë kishin rënë me rreth 10 mijë ton, nga 2021-shi në 2022-shin.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




