Çmimet europiane të gazit natyror u rritën, pas tre ditësh rënie, me tregun e përqendruar në rrezikun e furnizimeve nga Rusia dhe një valë të madhe të nxehti që goditi disa pjesë të rajonit.
Gazprom PJSC ka deklaruar forcë madhore në dërgesat për disa blerës europianë gjatë muajit të kaluar, sipas njerëzve të njohur me këtë çështje. Masa mund të sinjalizojë se synon të mbajë furnizimet të kufizuara, duke përforcuar kontrollin e Rusisë në energjinë e rajonit.
Në qershor, Rusia shkurtoi eksportet e saj në Gjermani nëpërmjet lidhjes kryesore Nord Stream — tubacioni kryesor për në Bashkimin Europian — duke përmendur vonesat në mirëmbajtjen e turbinave me gaz, pas sanksioneve perëndimore kundër Moskës.
Disa analistë janë skeptikë se tubacioni do të kthehet menjëherë në rrjedhat normale pasi mirëmbajtja e veçantë vjetore — e cila ndaloi plotësisht dërgesat — të përfundojë këtë javë.
“Tani që Gjermania dhe Kanadaja gjetën një marrëveshje rreth sanksioneve për të rikthyer turbinën që furnizon gazsjellësin Nord Stream 1, do të jetë interesante të shihet se çfarë arsye tjetër përdor Gazprom për të justifikuar forcën madhore,” tha Leslie Palti-Guzman, shefi ekzekutiv i konsulencës me bazë në Nju Jork.
Ndërkohë, vapa ekstreme vazhdon në Europën Perëndimore, duke rritur nevojën për ftohje dhe energji elektrike. Temperaturat në disa pjesë të Britanisë së Madhe, përfshirë Londrën, mund të arrijnë një maksimum historik të martën(19 korrik).
Parisi dhe Amsterdami pritet të arrijnë kulmin në nivele që janë shumë larg rekordeve, sipas parashikuesit Maxar.
Kontratat e së ardhmes holandeze për muajin e parë, standardi europian, u rritën 1.4% në 159.50 euro për megavat-orë deri në orën 9:14 të mëngjesit në Amsterdam./Bloomberg
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




