Treg

Lajmi për zbulimin e SHELL, ekspertët: Vendburimin e kanë gjetur shqiptarët në vitet ’84-‘89

Për ekspertët e vjetët të naftës e gazit në Shqipëri, kompanitë e huaja që po punojnë për nxjerrjen e gazit dhe naftës në vend, nuk kanë zbuluar asnjë vendburim të ri por kanë punuar mbi studimet e kryera nga inxhinierët shqiptarë.

Lidhur me lajmin e dhënë nga kryeministri Rama se kompania SHELL është drejt një zbulimi të madh e të rëndësishëm të një vendburimi nafte e gazi, eksperti i energjisë dhe ish-zv/ministër në disa qeveri të majta, Pajtim Bello thotë se zona që i referohet kryeministri Rama, është një zonë perspektive e studiuar dhe e deklaruar si e tillë në vitet 1984-1989, kur është kryer edhe një pus kërkimi.

“Shell mbi ato studime thelloi punimet e kërkim-zbulimit dhe ka marrë rezultat pozitiv. Ende nuk është bërë publike sa e si, por është vendburim nafte dhe gazi me rezerva të konsiderueshme”, tha Bello i pyetur nga Gazeta “Si”.

Pajtim Bello

Ka një dosje të studimeve dhe punimeve gjeologo-zbuluese të kryera në vitet 1980-1990.
Sipas Bellos, në vitet 2014-2015 kur SHELL arriti të konfirmojë prezencën e naftës e të gazit në vendin tonë, ka kërkaur nga ministri i Industrisë dhe Energjisë që personelin e ish-Institutit ta dekoronin dhe shpërblenin për punën e tyre studimore, por mjerisht nuk u bë asgjë.

Ekspertët e vjetët të naftës e gazit në vendin tonë, si inxhinier Stavri Dhima vlerësojnë punën e kryer ndër vite nga inxhinierët e naftës në Shqipëri. Ata thonë se nëse gjatë një çerek shekulli naftëtarët shqiptarë zbuluan 12 vendburime të reja nafte dhe 7 gazi, gjatë 25 viteve të tranzicionit, kompanitë konçesionare nuk kanë zbuluar dhe vënë në shfrytëzim asnjë vendburim, nga blloqet e tyre ku ata kanë punimet, të cilat janë shtrirë në zona e rajone perspektive.

“Këto kompani nuk kanë konkretizuar as edhe zbulimin e naftës me pusin Shpiragu 2 (2013), paçka që edhe këtë zonë e kishin vlerësuar dhe projektuar pus gjeologët shqiptarë që në vitet tetëdhjetë. Madje, siç është thënë, edhe për të arritur strukturën gëlqerore naftëmbajtëse, për një pus u shpuan pesë trungje, gjë që nuk kishte ndodhur kurrë, asnjëherë në Shqipëri, me puset e shpuara nga naftëtarët shqiptarë”, shprehen ekspertët.

Kërkimet e SHELL në Shpirag

Por si ka evoluar zhvillimi kërkimor për gjetjen e vendburimeve të gazit dhe naftës në vendin tonë?

Të dhëna historike për nxjerrjen e naftës e gazit:
1928 – Shoqëria italiane A.I.P.A shpoi pusin e parë në Kuçovë
1929 – U zbulua prania e naftës në shtresat e ranorëve te suites Driza
1935 – U ndërtua naftësjellësi Kuçovë-Uji i Ftohtë Vlorë, i cili solli edhe rritjen e nxjerrjes së naftës nga vendburimi i Kuçovës, që arriti 148.000 ton në vitin 1941.
1945 – U vunë në punë 550 puse, u nxorrën 3700 ton naftë.
1946 – U vunë në punë 870 puse, u nxorrën 6435 ton naftë.
1949 – U shpua pusi i parë në Patos
1950 – U shpuan puset e thellë për kërkimin e naftës e gazit në struktura të reja, si në Ardenicë, Frakull, Penkovë, Kozare, Pekisht etj, duke u zgjeruar ky territor ndër vite nga Velipoja në veri deri në Vurg të Sarandës, nga fusha e Korçës deri në shelfin detar të Adriatikut.
1950-1980 – Zbulohen 12 vendburime të reja nafte dhe 7 vendburime gazi. Nafta: Marinzë, Visoka, Gorisht-Kocul, Ballshi, Finiq-Krane, Arrza Kuçovë, Cakrani, Hekal-Karbunarë, Amonicë, Mollaj. Vendburimet e gazit: Divkajë, Kryevidhi, Ballaj, Frakulla, Povelçë, Panaja, Currilat në Detin Adriatik.
Në periudhën 1968-1990 u arrit mesatarja ditore e prodhimit të gazit natyror më e larta, rreth 575.000 m 3 në ditë.
Gazi natyror
Prodhimi i Gazit Natyror në vendin tonë ka filluar më 1968 me Vendburimin e Divjakës, me prodhim 70 Mcm/vit.
Prodhimi pik i Gazit Natyror ka qenë në vitin 1982 me 0.937; 1982 me 0.937 Bcm.
Numri i përgjithshëm i puseve të shpuar të gazit është mbi 500.
Vendburime të gazit natyror janë:
Durrës, Ballaj, Divjakë, Povelcë, Frakull, Delvinë.
Deri në vitin 1990 Tregu i Gazit natyror furnizonte industrinë e plehrave kimike, industrinë e naftës dhe të energjisë elektrike dhe shumë pak sektorin rezidencial.
Aktualisht prodhimi i gazit natyror shërben për industrinë e naftës.
Shqipëria është i vetmi vend në Evropë që nuk është i lidhur me rrjetet ndërkombëtare të gazit natyror.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë