Ish-Drejtori i Burgjeve, Arben Çuko u arrestua këtë të dielë me akuzën e korrupsionit periudhës që ishte në krye të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.
Çuko është ndaluar nga Policia e Tiranës dhe dyshohet se emri i tij ka dalë gjatë përgjimeve të një grupi kriminal të trafikut të drogës. Sipas asaj që mësohet deri më tani, Arben Çuko mendohet se ka marrë një shumë të konsiderueshme parash për të transferuar një të burgosur të dënuar me 22 vite burg si vrasës me pagesë.
Ministria e Drejtësisë i ka propozuar Kryeministrit Edi Rama shkarkimin e ish-kreut të Burgjeve, bë shtator të këtij viti.
“Shkarkimi i tij imediat për keqmenaxhim të patolerueshëm dhe dyshime të forta për korrupsion, ka çuar në një hetim të thelluar administrativ”, thuhet në deklaratën e Ministrisë.
Ministria i ka dërguar prokurorisë për hetime materialet e auditimit dhe shkeljeve të gjetura, sipas saj, në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve.
Kryeministri Edi Rama ka reaguar përmes rrjeteve sociale. Ai e sheh këtë rast si provë që për qeverinë nuk ka dy standarde në raport me ligjin.
“Keqardhje për A.Çukon po për ne s’ka dy qëndrime në raport me ligjinka vetëm një;s’ka dy qasje në raport me drejtësinë, ka vetëm një;s’ka dy fytyra në raport me qytetarët, ka vetëm një! Ne s’jemi e kurrë s’do jemi njësoj si të tjerët. Ne gjithnjë kemi vetëm një krah: drejtësinë!”, shkruan Rama.
Arben Çuko, nga 2013 deri në 2017 ishte deputet i Partisë Socialiste, anëtar i Komisionit të Sigurisë dhe ish-drejtues i Gardës. Për disa kohë ka qenë edhe këshilltar për Çështjet e sigurisë në Kryeministrinë e Kosovës. Çuko është ish-zyrtari i tretë i Drejtorisë së Burgjeve që përfundon vetë në pranga. Më parë janë arrestuar Artur Zoto dhe zëdhënësi i tij, Iljaz Labi, ndaj të cilëve rëndoi po akuza e korrupsionit, por me fondet për ushqimin e të burgosurve.
Ish-drejtori i Burgjeve, Arben Çuko, akuzohet se ka marrë para për të transferuar një të burgosur. Rryshfetin ai dyshohet se e ka marrë në këmbim të transferimit të Olsi Karagjozit; transferim që ka dështuar duke nxjerrë në dritë korrupsionin e ish-drejtorit. Olsi Karagjozi njihet nga drejtësia shqiptare si vrasës me pagesë. Ai qëllonte biznesmenët, duke u paguar nga rivalët e tyre. Shënjestra e tij kanë qenë kryesisht biznesmenët dhe sipërmarrësit e mesëm. Ka kryer pesë atentate ndaj tyre, por asnjërin nuk e ka vrarë. Sulmet me armë dyshohet se janë paguar nga kundërshtarët e të dëmtuarve, ndërsa janë vënë në zbatim nga i akuzuari për pesë tentativa vrasjesh dhe një grabitje.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.