Politike

Reforma territoriale do të bazohet te shembujt nga rajoni

Në hartimin e reformës territoriale, Komisioni i posaçëm parlamentar do të bazohet te shembujt që mbërrijnë nga rajoni.

Mbledhja proceduriale e mbajtur këtë të mërkurë përcaktoi dërgimin e ekspertëve, ose të vetë një përfaqësie të komisionit në Maqedoninë e Veriut, Kosovë dhe Malin e Zi për të marrë përvojën e këtyre vendeve në ndarjen e re territoriale.

Mbledhja formale u shoqërua nga dakordësia unanime mes mazhorancës dhe opozitës për kalendarin e punimeve, që do të fillojë nga java e ardhshme me dëgjesat dhe propozimet e 12 organizatave dhe shoqatave të shoqërisë civile.

Dakordësi u gjet edhe me listën tjetër të dëgjesave, që ka të bëjë me institucionet shtetërore, kryebashkiakët dhe përfaqësi të tjera të pushtetit qendror dhe vendor.

Ndasitë në lidhje me ndarjen e re mund të shpërfaqen kur Komisioni të hyjë në përcaktimin e numrit të bashkive. PD kërkon shtimin e tyre në rreth 100 bashki, ndërsa PS prej kohësh këmbëngul te reduktimi i mëtejshëm, ku ka paraqitur dy variante, njëri me 41 bashki dhe tjetri me 36 bashki.

Çështja tjetër, por që kërkon dakordësinë e të dyja palëve lidhet me qarqet. Sipas PS-së, qarqet e kanë humbur funksionin e tyre dhe propozon ndarjen e vendit në tre, ose katër rajone të mëdha. Por, për shkrirjen e 12 qarqeve kërkohet ndërhyrja në Kushtetutë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë