Politike

Maqedoni, hapet rruga për ndryshimet kushtetuese, opozita përjashton deputetët

Me 80 vota pro dhe 39 kundër, deputetët e Kuvendit të Maqedonisë kanë miratuar nisjen e procedurave për ndryshimet kushtetuese që i hapin rrugën marrëveshjes me Greqinë, të nënshkruar më 17 qershor të këtij viti. Sipas kësaj marrëveshje emri i fqinjit tonë lindor do të ndryshojë, për t’u quajtur Maqedonia e Veriut. Votimi u shoqërua nga një klimë e ndezur debati mes deputetëve të të dyja partive kryesore.

Në Kuvend pasi votuan deputetët në mënyrë elektronike, u miratua edhe kërkesa e deputetëve të VMRO-DPMNE-së që të votohet me thirrje të emrave e mbiemrave të deputetëve. Sakaq edhe pas këtij votimi, u aprovuan ndryshimet kushtetuese.

Pas votimit, ku pro u shprehën edhe 6 përfaqësues të VMRO-DPMNE, kjo e fundit ka marrë vendim për t’i përjashtuar këta deputetë.  Deputetët e VMRO-DPMNE që u përjshtuan janë: Kërste Mukovski, Elizabeta Kançeska-Milevska, Nola Ismaillovska, Ljuben Arnaudov, Emilija Aleksandrova, Sashe Vasilevski.

Hristijan Mickoski, kreu i VMRO-DPMNE

“Dua të shpreh falënderim ndaj deputetëve që nuk u përkulën kundrejt kërcënimeve dhe shantazheve. Dita kur duhej të votohen këto ndryshime u shndërrua në gjah ndaj deputetëve. Deputetë që votuan pro ndryshimeve, unë si person nuk mund t’i arsyetoj, ata ndoshta kishin qëllimet e tyre, por unë nuk mund t’i arsyetoj”, tha Hristijan Mickoski, kreu i VMRO-DPMNE-së.

“Shtatë deputetët që votuan kundër qëndrimit të partisë dhe vullnetit të qytetarëve, më dëshpëruan mua, edhe pse kjo nuk është me rëndësi, por është e rëndësishme se dëshpëruan partinë dhe qytetarët. Për këtë arsye Komiteti i VMRO-së mbajti mbledhje dhe përjashtoi 7 deputetët që votuan pro ndryshimeve”, deklaroi Mickoski.

Ndërkohë për këtë votim historik në parlamentin e Maqedonisë kanë reaguar edhe krerët e politikës shqiptare duke filluar nga kryeministri Edi Rama, presidenti Ilir Meta dhe kreu i opozitës Lulzim Basha.

Postimi i kryeministrit Rama në twitter
Postimi i kreut te Partisë Demokratike, Lulzim Basha në twitter
Postimi i presidentit Ilir Meta në Twitter

Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë