Lulzim Basha ka thyer heshtjen thuajse njëmujore në rrjetet sociale dhe ka postuar këtë të martë një seri reagimesh pas vendimit për masat e arrestit dhe gjykimet për ish-punonjës të Policisë së Elbasanit, që akuzohen për shpërdorim detyre dhe deklarime të rreme në ngjarjen që çoi në vrasjen e Pjerin Xhuvanit para zgjedhjeve të 25 prillit të vitit të kaluar.
“Çdo shqiptar e ka të qartë edhe më shumë sot se si Rama e ka përdorur policinë për të mbrojtur blerjen e votave. Vendimi i djeshëm tregon se si policia e shtetit u vu në shërbim të bandave me urdhër të Edi Ramës në masakrën zgjedhore të 25 prillit”, shkruan në Twitter ish-kryetari i Partisë Demokratike.
Sipas Bashës, hetimi dhe grupi i përgjegjësive shkon edhe më lart dhe duhen hetuar edhe ish-drejtori i Policisë, si dhe prokurori Alfred Shehu, që sipas Bashës gënjeu publikisht për ngjarjen në fjalë.
“Para drejtësisë duhet të vihen urgjentisht edhe ish-drejtori i policisë dhe ish-prokurori i Elbasanit, , që gënjyen publikisht për të fshehur të vërtetën”, vijon reagimin e tij Basha.
Prokurori Alfred Shehu u zgjodh në SPAK pak muaj pas ngjarjes së Elbasanit, ndërsa në fund të muajit maj u pezullua nga detyra së bashku me prokurorin tjetër të SPAK, Elvin Gogaj me vendim të Gjykatës së Apelit me arsyetimin se u zgjodhën në mënyrë të parregullt.
“Asnjë ushtar politik i sotëm, apo i djeshëm i Suel Çelës nuk mund të manipulojë të vërtetën e kësaj ngjarje, ku policia dhe krimi u bënë bashkë për të blerë vota dhe që fatkeqësisht çoi në viktima”, mbyll reagimin e tij, Lulzim Basha.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




