Art dhe Kulture

Drejtoresha e re e Operës, Abigeila Voshtina, violinistja që artistët e donin të shkarkuar

Nga Gazeta Si - Pas etheve të garës prej më shumë se dy muaj për drejtor të Operës, është zyrtarizuar emri që do të drejtojë institucionin e rëndësishëm të kulturës për 4 vitet e ardhshme. Kryeministri Edi Rama ia ka besuar drejtimin e Operës violinistes Abigeila Voshtina, duke zëvendësuar në këtë post Zana Çelën, e cila ishte në krye të Operës që prej gushtit të 2016-s, por që rikandidoi edhe për një mandat të tretë.

Violinistja Voshtina ka lidhje të drejtpërdrejta me institucionin. Ajo ka mbajtur postin e drejtoreshës artistike të Operës, që në kohën kur në krye të saj ishte balerini Ilir Kerni.

Voshtina, në prezantimin e programit të saj në komisionin për vlerësimin e kandidatëve i ka mëshuar ndër të tjera mungesës së një sezoni dy-vjeçar të Operas, si dhe bashkëpunimit edhe me Bashkinë e Tiranës. Ndonëse premton të sjellë risi me ardhjen në krye të institucionit, Abigeila Voshtina në kohën kur ishte drejtoreshë artistike ishte një emër jo fort i dëshiruar nga artistët.

Kanë qenë vetë artistët e Orkestrës Simfonike të TKOB që kanë dashur largimin e saj nga ky pozicion në 2017-ën, madje edhe duke bërë një peticion ku e akuzonin për përdorim të postit për përfitime personale, shkelje të rregullores, probleme komunikimi etj.

Violinistja Abigela Voshtina ka pasur një marrëdhënie të tensionuar edhe me ish-drejtorin Ilir Kerni. Pavarësisht se do të mbaheshin larg vëmendjes së mediave përplasjet e tyre në institucion do të përfundonin deri në gjykatë.

Voshtina do të ngrinte padi ndaj drejtorit Kerni për të ankimuar vërejtjen për përjashtim nga puna.

Sipas asaj që deklaronte Drejtoresha Artistike atë kohë, për vërejtjen ndaj saj nuk ishte ndjekur procedura e parashikuar në statusin e TKOB, gjë që u hodh poshtë nga avokati mbrojtës i Kernit, duke rezultuar me rrëzimin e padisë së Voshtinës si të pabazuar në ligj dhe në prova.

Vendimin që i dha të drejtë ish-drejtorit të TKOB Ilir Kerni, Abigela Voshtina do ta ankimonte në Gjykatën Administrative të Apelit.

Pas largimit si drejtoreshë artistike e Operës, Voshtina mbante postin e këshilltares së Kulturës në Kryeministri.

Në garën e sivjetme për drejtor, Voshtina mundi primabalerinën Adela Muçollari, tenorin Josif Gjipali, koreografin Tomorr Kokona, trompistin Kleanthi Gjika dhe violinistin Arben Skënderi.

Komisioni për vlerësimin e kandidatëve udhëhiqej nga zv. ministrja Meri Kumbe, dy drejtorë të Ministrisë së Kulturës Elira Dani dhe Arian Avrazi si dhe dy artistë si ekspertë të jashtëm, Luigi Ferrari dhe Gintatutas Kevisas.

Ministria e Kulturës do të hapte garën për drejtuesin e ri të Teatrit Kombëtar të Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor më 29 mars dhe afti i vendosur më parë për aplikimet e kandidatëve ishte deri më 19 prill. Por më pas Ministria e Kulturës shkruante në faqen e saj se duke marrë shkas nga kërkesat e vazhdueshme për informacion, për të gjithë të interesuarit, afati i aplikimit për pozicionin drejtor i përgjithshëm i Teatrit Kombëtar të Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor shtyhej deri në datën 6 maj.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë