Lajme

“Antishpifja, Qeveria po kërcënon median investigative”

Vendimi i AKEP për të detyruar mediat online për t’u regjistruar në qendrën Kombëtare të Biznesit, si dhe për të publikuar në faqet online numrat e NIPT-ve ka sjellë edhe reagimin e shoqatës së “Reporterëve pa kufij”.

Kjo organizatë ka reaguar gjithashtu edhe ndaj nismës më të fundit të shpallur nga ana e kryeministrit Edi Rama për miratimin e një ligji kundër shpifjes. Reporterët pa Kufij e cilësojnë këtë nismë të rrezikshme e që për më tepër do të cenojë lirinë e medias, sidomos të asaj investigative.

“Duke supozuar se ka si qëllim që të frenojë shpifjen online, kjo iniciativë  kryeministrit shqiptar Edi Rama kërcënon lirinë e shtypit dhe uebet e internetit të pavarura, të cilat shpesh sigurojnë mbulime investiguese të korrupsionit dhe lidhjeve të fshehta të qeverisë shqiptare me krimin e organizuar”, thuhet në postimin e organizatës së “Reporterëve pa kufij”, RSF-së.

https://twitter.com/RSF_Europe/status/1052970939145748480

Gjithashtu RSF dënon edhe vendimin e Qeverisë shqiptare që detyron disa portale, media online të regjistrohen një zyrë shtetërore brenda tre ditëve ose në të kundër do të mbyllen.

Nisma e shpallur nga ana e kryeministrit u komentua edhe nga ana e përfaqësuesit të OSBE-së për Lirinë e Medias, Harlem Désir, i cili shprehu shqetësimin për lajmërimin për një sistem të ri regjistrimi për 44 faqe interneti në Shqipëri dhe mbylljen e mundshme të tyre.

Më 15 tetor, Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare në Shqipëri publikoi një listë me 44 faqe interneti mediatike, që duhet të regjistrohet pranë Qendrës Kombëtare të Biznesit dhe të pajisen me NIPT brenda 72 orësh, të cilin duhet ta publikojnë pastaj online. Mosrespektimi i këtij urdhri rezulton në mbyllje të faqeve të internetit. Kjo nismë, e mbështetur nga qeveria, raportohet se është bërë për t’u dhënë zgjidhje shpifjeve online.

“Shtetet nuk duhet të imponojnë regjistrimin e detyrueshëm për mediat online si parakusht për punën e tyre, gjë që mund të ketë efekt shumë negativ në lirinë e medias. Kjo praktikë, kur vihet në zbatim, mund të kufizojë ndjeshëm aksesin e publikut në burime të larmishme informacioni dhe pluralizmin e zërave, si edhe gërryen të drejtën e lirisë së shprehjes dhe të informimit online”, deklaroi Désir.

Përfaqësuesi u bëri thirrje autoriteteve shqiptare t’i rishikojnë këto masa, të shqyrtojnë të gjitha alternativat e mundshme për trajtimin e çështjes së shpifjes dhe të fillojnë një debat gjithëpërfshirës me aktorët relevantë të shoqërisë civile dhe medias.

“Është tejet e rëndësishme që të sigurohet më shumë informacion rreth objektivave të saktë të masave të shpallura, si edhe për kriteret mbi bazën e të cilave janë përzgjedhur këto 44 faqe interneti”, shtoi Désir. Më tej, ai kërkoi sqarime për bazën ligjore të kërkesës për publikimin e NIPT-it nga ana e këtyre faqeve interneti, si edhe për bazën ligjore për mbylljen e faqeve të internetit.

Zyrtari i lartë i OSBE-së mësohet se ka pasur edhe një bisedë mes kryeministrit Edi Rama dhe Desir, i cili më herët kishte bërë të ditur se OSBE-ja është e gatshme të ofrojë asistencën ligjore, duke theksuar se çdo rregullim i përmbajtjes online duhet të mbajë parasysh detyrimet ndërkombëtare, përfshirë angazhimet në kuadrin e OSBE-së.

Postimi i kryeministrit Edi Rama

Vetë Rama paralajmëroi se mes Desir ka pasur një betejë të frytshme, duke bërë të ditur se shpejti paketa e Qeverisë Antishpifje do të jetë në diskutim publik.

“Bisedë e frytshme me @harlemdesir mbi përpjekjet për rend ligjor në median online. Së shpejti #PaketaAntishpifje #AntiFakeneës në diskutim publik. Gati për të dëgjuar sugjerimet e kujtdo që do një media të çliruar nga shpifjet.@OSCE_RFoM partner i çmuar në këtë betejë emancipuese”, shkruan Rama në Twitter.

Kryeministri ka bërë bashkë edhe postimin e Desir, i cili njoftonte se për nismën Antishpije, do të punojnë së bashku me OSBE-në për të siguruar lirinë e medias.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë