Menaxhim

BB: Shqipëria të nxisë investimet në bujqësi, industri automotive dhe të fokusohet në turizëm

“Shqipëria duhet të nxisë investimet në bujqësi, turizëm dhe industrinë automotive” thekson raporti i Diagnostikimit të Sektorit Privat të Vendit për Shqipërinë, hartuar nga Banka Botërore dhe IFC.

Raporti thotë se sektori privat, si motori i zhvillimit ekonomik të Shqipërisë, përballet me sfida serioze, si: aksesi i kufizuar në financime, niveli i ulët i përmirësimeve në teknologji, mungesa e aftësive profesionale dhe mangësitë në infrastrukturë.

Raporti thekson gjithashtu se Shqipëria mund të arrijë rritje ekonomike më të madhe dhe më të qëndrueshme, duke forcuar integrimin e tregtisë me ekonominë globale dhe atë të Bashkimit Europian, si dhe duke zgjeruar rolin ekonomik të sektorit privat.

LEXO EDHE:
- Banka Botërore për bujqësinë: Ç’duhet të bëjë Shqipëria që të mos varet nga produktet e importit
- Banka Botërore 34 mln euro financim shtesë për turizmin në Orikum dhe Ksamil
- BB: Digjitalizimi i bujqësisë shqiptare në nivel mesatar

Ndonëse Shqipëria ka mjaftueshëm potencial për zhvillimin e turizmit, sipas raportit ajo mbetet ende prapa shteteve të tjera të rajonit të cilat kanë mjedise më të favorshme për turizmin, më shumë mbështetje nga politikat e qeverisë, më pak pengesa rregullatore për udhëtimet dhe tregtinë, shërbime superiore të telekomunikacionit, infrastrukturë transporti më të zhvilluar dhe shërbime biznesi më të gjera.

“Duke zhvilluar një nënsektor të larmishëm të turizmit blu dhe duke lidhur zonat bregdetare me qendrat e turizmit në brendësi, Shqipëria do të mundte në masë të madhe të rriste të ardhurat të gjeneruara nga çdo turist.

Një vlerësim konservator nga Grupi i Bankës Botërore tregon se zbatimi i strategjisë së turizmit blu mund të nxisë 380 milionë euro në vit ose më shumë.

Saranda në vitin 1991 (para turizmit masiv) edhe sot

Shëtitja me varkë duhet të jetë një komponent kyç i nënsektorit të turizmit blu të Shqipërisë

Në vitin 2015,një Studimi i Institutit për Ruajtjen e Natyrës në Shqipëri (INCA) gjeti kërkesë të lartë për aktivitetet e lundrimit me varkë midis turistëve ekzistues të Shqipërisë: 36.5 për qind e operatorëve turistikë intervistuar nga INCA në Gjirin e Vlorës tashmë ofronin udhëtime me varkë e cila ishte aktiviteti më popullor për turistët vendas dhe të huaj që vizitojnë zonën.

Zonat për turizëm me bazë natyrën dhe zonat për peshkim

“Aktivitetet e bazuara në natyrë mund t'i shtojnë vlerë të konsiderueshme sektorit të turizmit në Shqipëri. Shtrirjet e pazhvilluara bregdetare të Shqipërisë përfshijnë shumë plazhe”, thuhet në raport.

Rëndësi t’i jepet turizmit malor

“Për të realizuar potencialin e tij të plotë, turizmi blu duhet të integrohet me turizmin e brendshëm dhe aktivitete të ndryshme. Turizmi malor në Alpet Shqiptare dhe Malet e Korabit mund të zgjasin sezonin turistik.

Me majat që arrijnë 2764 metra dhe një bollëk liqenesh, shpellash, lumenjsh, këto vargmale malore ofrojnë potencial për ecje, alpinizëm, çiklizëm malor, kajak dhe rekreacion peshkimi në fund të pranverës, verës dhe fillimit të vjeshtës, si dhe ski në dimër.

Turistët malorë shpesh preferojnë të qëndrojnë në bujtina të vogla. Zhvillimi i turizmit malor është një nënsektor që do të ofronte mundësi për punësim dhe sipërmarrje lokale edhe në zonat më të largëta”, thekson raporti.

“Krizat e viteve të fundit treguan rëndësinë e gjetjes së rrugëve të reja për zhvillimin e sektorit privat” u shpreh Delina Ibrahimaj, Ministre e Financës dhe Ekonomisë.

“Raporti i CPSD-së ofron rekomandime të vlefshme në lidhje me tre sektorë të rëndësishëm të ekonomisë shqiptare, të cilët kanë treguar dhe vazhdojnë të tregojnë potencialin e tyre në rritjen e qëndrueshme të ekonomisë në vend", vijoi ajo.

*IFC-ja, anëtare e Grupit të Bankës Botërore, është institucioni më i madh për zhvillim global që fokusohet në sektorin privat të tregjeve në zhvillim. 


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë