Edhe pse me firma të ndryshme, nga PD-ja vjen një zë; Se harta e re gjyqësore duhet anuluar.
“Me hartën gjyqësore të Edi Ramës mbyllen nëntë gjykata të shkallës së parë dhe mohohet aksesi i qytetarëve të nëntë qyteteve në sistemin e drejtësisë. Mbyllet gjykata e Tropojës, Pukës, Kurbinit, Lushnjes, Pogradecit, Përmetit etj. Ngelen vetëm dy gjykata administrative. Mbyllen 5 gjykata të apelit dhe mbetet vetëm Apeli i Tiranës.
Kjo është një metodë e ndëshkuar. Me këtë vendim gjobiten dhe ndëshkohen banorët e 10 qyteteve të vendit që duhet të udhëtojnë për të shkuar në gjykatën e rrethit tjetër. Kështu rriten shpenzimet e udhëtimit, hoteleve për qytetarët dhe shpenzohet koha e tyre. U mohohet edhe aksesi në sistemin e drejtësisë. Miratimi I hartës së re është një shkelje e rëndë e të drejtave të njeriut. Mbyllja e gjykatave cenon dhe kufizon rëndë aksesin në drejtësi të individit.
Kjo bën që gjykata në numër të konsiderueshëm të mbeten të paaksesueshme për qytetarët”, tha Berisha përmes një deklarate për mediat.
Sipas tij, vendimi i KLGJ dhunon edhe grupet e interesat që lidhen direkt me këtë proces. ”Si avokatët. Ekspertët kontabël dhe ekspertët psikologë. Harta e re vjen në kundërshtim flagrant me kërkesat e drejta të rezolutës më të fundit të PE për Shqipërinë e cila kërkon shprehimisht që harta e gjyqësorit duhet të marrë në konsideratë mendimet e grupeve të interesit dhe kushtet e grupeve vulnerabël. Në të vërtetë harta e re hedh poshtë kërkesat e kësaj rezolute të PE. Opinioni i grupeve të interesit jo vetëm që nuk është përfillur por është hedhur poshtë me cinizëm pasi ato kanë kundërshtuar në mënyrën më të prerë këtë hartë.
Harta dëmton rëndë grupet vulnerable të cilat për shkak të shpenzimeve shtesë do e kenë të pamundur të drejtohen në gjykata. Harta jo vetëm që nuk lehtëson por pengon aksesin në sistemin e drejtësisë dhe rrit kostot. Bashkë me stokun e 110 mijë dosjeve privon qytetarët nga një proces i rregullt gjyqësor. Në këtë kontekst PD dënon këtë projekt dhe kërkon anulimin e tij të menjëhershëm pasi ndëshkohen qytetarët dhe avoketërit bashkë me ekspertë. Ky projekt përqendron vendimmarrjen në sistemin e drejtësisë në duart e dy tre personave të kryesuar nga i famshmi Sokol Sadushi”, tha Berisha
Ndërkohë, deputetë të Partisë Demokratike, Dhurata Çupi, Enkelejd Alibeaj, Gazment Bardhi, Saimir Korreshi, Bledion Nallbati, Dashnor Sula, Greta Bardeli, dhe kreu i Partisë Republikane Fatmir Mediu, kanë kërkuar një seancë dëgjimore me Këshillin e Lartë Gjyqësor, Këshillin e Lartë të Prokurorisë, Ministrin e Drejtësisë, Dhomën Kombëtare të Avokatisë, Avokatin e Popullit dhe Komitetin Shqiptar të Helsinkit.
Deputetët e opozitës shprehen se kanë ndjekur me vëmendje diskutimet që kanë pasuar vendimin e Këshillit të Lartë Gjyqësor për miratimin e “Hartës së Re Gjyqësore”.
Deputetët thonë se kanë marrë mesazhe të shumta nga qytetarë të ndryshëm që shprehen të shqetësuar lidhur me mbylljen e gjykatave në qytetet e tyre.
“Vecanërisht shqetësuese mbetet situata për banorët që do t’iu duhen të udhëtojnë për kilometra apo orë të tëra për të mbërritur pranë gjykatës kompetente për gjykimin e cështjeve të tyre”.
Sipas deputetëve të opozitës, riorganizimi gjyqësor lidhet me një të drejtë themelore që ka të bëjë me aksesin në drejtësi, të garantuar nga neni 42 i Kushtetutës së Shqipërisë dhe neni 6 i Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. “Për pasojë është detyrë e Kuvendit të analizojë dhe marrë në shqyrtim këtë çështje me interes për qytetarët”, thuhet në kërkesën e deputetëve të opozitës .
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



