Shendet

Ndërsa Covid-19 zhduket, viruse të tjerë po shfaqen në mënyra të papritura

Për gati dy vjet, ndërsa pandemia ndërpreu jetën në mbarë globin, sëmundjet e tjera infektive u lanë në hije. Tani, që bota po heq masat e vendosura për të ngadalësuar përhapjen e Covid, problemet virale dhe bakteriale që ishin në hije po kthehen dhe në mënyra të papritura.

Dy dimrat e fundit ishin ndër sezonet më të buta të gripit të regjistruar, por shtrimet në spital kanë filluar në të gjithë botën të rriten në maj. Adenovirusi i tipit 41, që më parë mendohej se shkaktonte periudha mjaft të padëmshme të sëmundjeve gastrointestinale, mund të jetë shkaktar i hepatitit të rëndë te fëmijët e vegjël të shëndetshëm.

Virusi sincicial i frymëmarrjes, ose RSV, një virus që zakonisht shkakton sëmundje në dimër, shkaktoi shpërthime të mëdha sëmundjesh te fëmijët verën e kaluar dhe në fillim të vjeshtës në Shtetet e Bashkuara dhe Europë.

Dhe tani lija e majmunëve, një virus që gjendet përgjithësisht vetëm në Afrikën Perëndimore dhe Qendrore, po shkakton një shpërthim të paprecedentë në shumë vende në Europë, Amerikën e Veriut, Lindjen e Mesme dhe Australi.

Këto viruse nuk janë ndryshe nga ato që ishin më parë, por ne jemi. Së pari, për shkak të kufizimeve të COVID-it, ne kemi imunitet shumë më pak të fituar kohët e fundit dhe tani jemi të gjithë shumë m delikatë. Dhe kjo rritje e ndjeshmërisë, thonë ekspertët, do të thotë që ne mund të prekemi më shpejt nga viruse që më parë ishin të papërfillshëm.

Valë më të mëdha sëmundjesh mund të godasin, të cilat në disa raste mund të nxjerrin në dritë probleme që nuk e dinim që shkaktonin këto viruse. Sëmundjet mund të qarkullojnë në momente ose në vende kur normalisht nuk do të qarkullonin.

“Unë mendoj se duhet të presim që disa viruse të jenë jashtë të zakonshmes”, tha Petter Brodin, imunolog në Imperial College London.

Marion Koopmans, kryetarja e departamentit të viroshkencës në Qendrën Mjekësore Erasmus në Roterdam, Holandë, tha se ajo beson se mund të përballemi me një periudhë kur do të jetë e vështirë të dimë se çfarë të presim nga sëmundjet që mendonim se i kuptonim.

“Ky fenomen, prishja e modeleve normale të infeksioneve, mund të jetë veçanërisht i theksuar për sëmundjet ku fëmijët luajnë një rol të rëndësishëm në përhapjen e tyre”, sugjeroi ajo.

Fëmijët e vegjël zakonisht janë magnetë mikrobesh dhe amplifikues të mikrobeve. Por jeta e tyre u ndryshua thellësisht gjatë pandemisë. Shumica kaluan një kohë të gjatë pa ndjekur kujdesin ditor ose shkollën. Shumë prej tyre kishin shumë më pak ekspozim ndaj njerëzve jashtë familjeve të tyre dhe kur takonin të tjerë, ata kishin maska.

Dhe foshnjat e lindura gjatë pandemisë mund të kenë hyrë në botë me pak antitrupa të transmetuar nga nënat e tyre në bark”, tha Hubert Niesters, profesor i virologjisë klinike.

Koopmans tha se një studim që ekipi i saj bëri në kërkim të antitrupave në gjakun e fëmijëve të vegjël tregoi ndikimin e asaj që ajo e quan një “muaj mjalti për infeksionin”.

“Fëmijët në vitin e dytë të pandemisë kanë shumë më pak antitrupa ndaj një sërë virusesh të zakonshme të frymëmarrjes. Ata thjesht u ekspozuan më pak”, tha ajo.

Faktorë të tillë mund të ndihmojnë në shpjegimin e përhapjes së fundit të rasteve të pazakonta të hepatitit tek fëmijët e vegjël. Shkencëtarët që hetojnë rastet mendojnë se ato mund të shkaktohen, të paktën pjesërisht, nga adenovirusi i tipit 41, sepse është gjetur në një numër të konsiderueshëm të fëmijëve të prekur. Mundësia është e çuditshme, sepse virusi nuk është parë të shkaktojë këtë lloj sëmundjeje në të kaluarën.

Por disa shkencëtarë thonë se ky virus mund të ketë qenë gjithmonë përgjegjës për një pjesë të numrit të vogël të rasteve të pashpjegueshme të hepatitit pediatrik që ndodhin çdo vit. Ndoshta, mendohet se ka pasur shumë më tepër infeksione me adenovirus të tipit 41 gjatë tetë muajve të fundit për shkak të rritjes së ndjeshmërisë tek fëmijët. Kjo, nga ana tjetër, mund të jetë duke bërë të dukshme diçka që nuk ishte parë më parë.

Gjithashtu edhe të rriturit nuk kanë gjeneruar nivele të antitrupave që normalisht do të fitoheshin përmes ekspozimit të rregullt që kemi ndaj viruseve.

Koopmans tha se disa studime tregojnë se pas një periudhe një ose dyvjeçare në të cilën transmetimi i gripit është i ulët, mund të ketë një reduktim të konsiderueshëm të numrit të njerëzve që kanë antitrupa gripi që janë në nivele mjaft të larta për t’u konsideruar mbrojtës.

“Po flasim për sëmundje endemike që kishin një model të caktuar parashikueshmërie. Dhe ky model pjesërisht ishte sezonal, por pjesërisht u nxit edhe nga madhësia e popullsisë imune ose jo-imune. Dhe pjesa e fundit, natyrisht, është rritur”, tha Koopmans.

Thomas Clark, zv/drejtor i divizionit të sëmundjeve virale në Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, tha se fëmijët mund të jenë më  të ekspozuar ndaj sëmundjeve të ndryshme sepse për dy vite nuk kanë kaluar viruse të ndryshme pasi nuk kanë qenë të ekspozuar.

Clark tha se ne mund të shohim ndryshime në ashpërsinë e disa sëmundjeve, sepse fëmijët e vegjël që ishin të mbrojtur ndaj viruseve gjatë fazave të hershme të pandemisë tani mund t’i kapin ato kur të jenë më të rritur.

“Disa sëmundje shkaktojnë simptoma më serioze nëse infektohen kur njeriu është më i rritur”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë