Bledar Hoti-Pikat e basteve do të jenë monopol shtetëror. “Enigma” është zgjidhur nga vetë qeveria nëpërmjet relacionit të projektligjit të depozituar në Parlament.
Në draftin “Për lojërat e fatit në Republikën e Shqipërisë” brenda 31 dhjetorit mbyllen të gjitha aktivitetet e basteve sportive që ushtrohet nga kompanitë private, duke ofruar si 'zgjidhje' krijimin e një monopoli shtetëror.
“Qëllimi i këtij projektligji është ndërprerja e ushtrimit të aktivitetit të basteve sportive dhe të basteve për garat në pistë, me përmbushjen e afatit të përcaktuar në këtë projektligj, deri në datën 31 dhjetor 2018. Ky projektligj është në të njëjtën linjë me ndalimin ligjor të parashikuar për kazinotë elektronike dhe bingot tradicionale, të cilat kanë të drejtë të ushtrojnë aktivitetin e tyre deri më 31 dhjetor 2018. Ky projektligj synon të ndjekë të njëjtën logjikë dhe të njëjtin afat edhe për kategoritë “Baste sportive” dhe “Baste për garat në pistë”. Për vazhdimin e mëtejshëm të kësaj veprimtarie, po konsiderohet mundësia e trajtimit të saj si monopol shtetëror dhe ushtrimi i kësaj veprimtarie nga struktura shtetërore të ngritura posaçërisht”, thuhet në relacionin shoqërues të këtij drafti.
Ndërsa opsioni i kontrollit nga shtetit me një kompaninë hidhet si variant, pa përcaktuar rrugën se si do të realizohet konkretisht. Ideja e shtetëzimit, e krijimit të një monopoli të vetëm u pat hedhur më parë dhe nga deputeti socialist Erjon Braçe, por edhe nga zyrtarët e ministrisë së Financave, kjo nisur nga të ardhurat që krijohen nga kjo veprimtari .
Një javë më parë në interpelancën mes Braçes dhe ministrit të Financave, Arben Ahmetaj, kryekomisioneri socialist hodhi idenë e shtetëzimit të këtij aktiviteti. “Shtetëzojini, bëjini monopol shtetëror, që mos të bëni luftë guerrile bodrumeve”, do të deklaronte Braçe.
Drejtori i politikave fiskale në ministrinë e Financave, Niko Lera për mediat vizive do të shprehej se grupi i punës po analizon disa alternativa, duke marre si shembull praktikat evropiane, duke mos përjashtuar mundësinë e krijimit të monopolit shtetëror.
Për nismës e mbylljes së basteve pati një përplasje të madhe mes maxhorancës dhe opozitës. Partia Demokratike po denoncon se mbyllja e këtyre pikave të basteve realizohet me qëllimin e krijimit e një kompanie monopol online. Ish-kryeministri Sali Berisha në një postim më të fundit në rrjetet sociale shkruante kjo nismë e qeverisë Rama bëhet për të krijuar një kompani, që sipas tij, do ta kishte në pronësi vëllai i kryeministrit, Olsi Rama.
“Mbyll 9 mijë pika dhe hap online me celular 1.000.000 pika te reja bixhozi. Tmerr! Qytetarët dixhital denoncojnë vëllezërit Rama. Unë jam një punonjëse administrate dhe dua ndaj me ju këtë gjurulldinë e ditëve të fundit. Zërat dhe bindjet janë për Monopolin e basteve që po krijon Edi Rama për të vëllanë, Olsi Rama. Është kaq arbitrare mbyllja e kësaj industrie për ta përqendruar në duart e familjes mbretërore. Ndoshta ju mund t’i jepni zë dhe të ndaloni koncesionet që do të rrënojnë ekonominë shqiptare dhe që janë bërë model monopolizimi nga familja kryeministrore. Kaq shumë të papunë sa shtohen përditë vetëm që njerëzit të luajnë bixhoz online me Olsin”, shkruhej në postimin e ish-kryeministrit.
Këtyre akuzave, kreu i Qeverisë si kundërpërgjigje deklaroi se nuk do të ekzistojnë as bastet online. “Saliu u del për zot basteve, partia e vet i del kundër kontrollit mjekësor bazë FALAS. Këto janë dy fytyrat kuptimplota të një opozite që ka humbur bastin me të ardhmen dhe ka mbetur peng i një politike të dëshpëruar dyfytyrësie e shterpësie të ububujshme. Bastet vdiqën Sali”, shkruan Rama.
Kryeministri vijoi dhe sot debatin për çështjen e pikave të basteve. Në një postim në Instagram, Rama duke shoqëruar një foto të Berishës që shfaqet pranë makinave elektronike, shkruan se nga bastet nuk do të shpëtojë asnjë.
“Nga kazinotë elektronike tek shpifjet elektronike. Por bastet nuk i shpëton dot më as dëshpërimi i lojtarëve të fatit, as paraja e krimit të organizuar që financon industrinë e baltës kundër mbylljes së tyre dhe as hungërrimat e derrave apo pickimet e mushkonjave të kënetës mediatike”, shkruan Rama në postimin e tij.
Por relacioni i Qeverisë, i dërguar edhe me firmën e kryeministrit dhe të ministrit të Financave në Parlament, duket se hedh poshtë qëndrimin e Ramës se “bastet vdiqën dhe se nuk do të ketë monopol të këtij aktiviteti”.
Në relacionin e projektligjit theksohet ndër të tjera se mbyllja e pikave të basteve sportive nuk sjell efekte financiare shtesë në buxhetin e shtetit, pa dhënë një shifër që janë arkëtuar ndër vite nga ushtrimi i këtij aktiviteti.
Për zbatimin e këtij projektligji ngarkohen Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Autoriteti i Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit, edhe pse ky i fundit me vendim qeverie është shkrirë. Drafti për mbylljen e pikave të bastit tashmë ndodhet në Parlament, e do të jetë një gur prove për maxhorancën, si dhe vetë Ramën. Ai ka premtuar se në Kuvend do të kalojë dhe se nuk do të ketë rrjedhje votash, pasi maxhoranca do të jetë unike në votimin e këtij projektligji.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.