Gazeta Si – Trajneri Edi Reja e konsideron shumë të rëndësishme ndeshjen e nesërme me Izraelin. Pas barazimit në Islandë, ai pret fitoren e parë në grup.
“Kemi bërë ndeshje të mira, ndonjëherë rezultati nuk vjen. Kritikat i kuptoj. Mund të ketë 10 milionë shqiptarë që kritikojnë. Kam parë gjëra të mira te skuadra, lojtarët janë përgjigjur mirë.
Izraeli tani ka lojtarë të tjerë, nuk ka lidhje kjo ndeshje me të mëparshmet. Janë realitete të ndryshme. Është skuadër që vrapon shumë, lojtarët i ka të shpejtë, sulmon edhe me krahët e mbrojtjes.

Me këtë mënyrë loje mund të lërë hapësira dhe duhet t’i shfrytëzojmë. Nuk duhet që Izraeli të krijojë superioritet numerik. Po punojmë për sa më shumë aksione ofensive.
Nuk kemi arritur asnjëherë kaq shumë në fundore sa me Islandën, por finalizimi, që është konkretizimi i punës, nuk ishte aty ku duhet. Kemi probleme në pasimin e fundit. E kam diskutuar edhe me djemtë.
Do të gjej zgjidhje të tjera për të vënë në vështirësi Izraelin. E kemi përgatitur mirë skuadrën për të shfrytëzuar situatat. Në fushë shihet kush e meriton më shumë a më pak, është diskutim i hapur.
Tension nga ana jonë nuk ka. Do të luajmë të hapur, ideja jonë është të mos humbim dhe të mos vuajmë se ata shtyjnë përpara me shumë lojtarë. Kjo taktikë mund të të vërë në vështirësi, por ne kemi forcat tona”, – ka theksuar trajneri i Kombëtares.
Pastaj, duke folur për ndryshimet e mundshme në formacion, ai tha: “Nuk e kam zakon të them kush luan para ndeshjes. Uzuni ka treguar se është në gjendje 100%. E njëjta gjë edhe për Brojën.
Do ta mësoni nesër, pasi t’u them djemve. Shpresojmë të jenë mire. Shpresojmë që Uzuni dhe Broja të jenë në formë dhe të na zgjidhin problemet në sulm”.

Trajneri Reja preferoi që në konferencë shtypi të dilte me Berat Gjimshitin dhe jo me Etrit Berishën. Ose italiani ka vendosur të aktivizojë një portier tjetër, ose ka dashur patjetër që para gazetarëve të dilte Gjimshiti.
Mbrojtësi i Atalantës, për ndeshjen me Izraelin, u shpreh: “Presion? Çdo kundërshtar të krijon presion. Është më mirë që ka presion, sepse je më i përqendruar. Skuadra ka objektivin vendin e parë.
Izraeli ka skuadër ofensive shumë te mirë, ka lojtarë të shpejtë. Ne duhet të mbrohemi mire, por edhe të sulmojmë mire, pasi nëse shënon, fiton. Besoj se në mbrojtje nuk kemi shumë probleme. Gabimi në Islandë? Në çdo punë të gjithë bëjnë gabime, korrigjohet në ndeshjen tjetër.
Grupi ynë është i ekuilibruar, një grup shumë i mirë. Çdo ekip ka shanset e veta të dalë i pari. Kush jep më shumë, merr vendin e parë. Pasimi i fundit i saktë ishte problemi me Islandën, shpresoj ta rregullojmë”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




