Ngjarje

Përkujtohet Vedat Kokona. Vepra e tij, në tekstet shkollore


I cilësuar si ati shpirtëror  i frankofonisë, shkrimtari dhe profesori Vedat Kokona është përkujtuar në 20-vjetorin e ndarjes nga jeta, në një aktivitet që nderon  jetën dhe veprën e tij, të organizuar nga ministria e Arsimit dhe ministria e Kulturës, në sallën franceze të Bibliotekës KombëtareMinistrja e Arsimit Lindita Nikolla, e pranishme gjatë këtij takimi u angazhua  që veprat e Kokonës të jenë të pranishme në programin e arsimit parauniversitar, si edhe caktimin e ditëve të veçanta kushtuar Kokonës në institucionet arsimore të mesme dhe të larta.“Angazhohem që vepra e tij, të jetë një vepër që shërben për gjithë brezin e ri, ndoshta nga ky takim për të marrë shkas, për të mundësuar që në kurrikulën e arsimit parauniversitar profesori të jetë prezent.”, ka  thënë ministrja, ndërsa ka folur edhe për ditët që do i kushton shkrimtarit dhe përkthyesit. “Dita e Vedat Kokonës do të jenë ditë në gjithë shkollat ku jo vetëm mësohet gjuha frënge, por edhe në shkolla ku mësohet letërsia shqipe”, ndërsa ka vlerësuar shqipërimet e të mëdhenjve të letërsisë nga Kokona, si të jashtëzakonshme.

Ndërsa ministrja Kumbaro u ndal te kujtimet që e lidhin me profesor Kokonën, nga ora e fonetikës dhe deri tek fjalori Frëngjisht-Shqip dhe shtëpia botuese e vajzave të tij. Nga ky takim Kumbaro bëri të ditur se së shpejti për të nxitur leximin e veprave me vlerë do të ketë një fushatë të madhe të quajtur “Lëvizja Kombëtare për Lexim”. “Po bëhemi gati për një fushatë leximi, takohemi për një libër për të nxitur leximin. Sivjet duam t’i jap një përmasë më të madhe dhe duam ta quajmë “Lëvizja Kombëtare për Lexim” . Duhet të japim kontribut për leximin e librave nga brezat e rinj”- deklaroi Kumbaro.

Në këtë aktivitet ishte i pranishëm edhe profesori Edmond Tupe i cili vlerësoi Kokonën si një ndër poligrafët që preku shumë fusha të jetës dhe solli si trashëgimi për ditët e sotme vepra të rilindësve tanë. Ndërkohë vajza e tij Mimoza Kokona falënderoi organizatorët që kujtuan 20-vjetorin e ndarjes nga jeta dhe 105-vjetorin e lindjes së babait të saj. Në shenjë mirënjohje ajo dhuroi për bibliotekën një nga veprat e tij me shënime origjinale.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë