Politike

Berisha takim me biznesin e vogël dhe të mesëm: Zgjidhja aktuale, protesta. Programin e PD do e hartojë biznesi  

Ashtu siç kishte paralajmëruar, Sali Berisha e konsideron të mbyllur konfliktin brenda partisë me zgjedhjen e organeve të reja drejtuese duke u fokusuar tek ajo që e ka cilësuar; beteja kundër Edi Ramës.

Dhe e ka filluar me biznesin e vogël dhe të mesëm kategoritë që janë me te prekshme ndaj politikave qeverisëse.

Berisha i premtoi biznesit të vogël se do të jetë ai që do ta hartojë paketën fiskale dhe programin e qeverisë së ardhshme, duke i ftuar ata që aktualisht të mbushin rrugët në protestë.

Një thirrje që ka gjetur vend tek biznesi i vogël, me saktë kryetari i kësaj shoqate Albert Nasto

“Nuk jam këtu për t’u ndalur në përpjekjet e bëra në të shkuarën për një klimë miqësore ndaj biznesit, jam këtu për t’ju garantuar se programin e qeverisë së ardhshme do ta hartoni ju dhe jo specialistët tanë. Paketën fiskale të biznesit të vogël do ta hartoni ju, më të favorshmen për ju, sepse ky nuk është vetëm interesi juaj por i vendit. Biznesi i vogël është gjeneratori kryesor i punësimit”, tha ndër të tjera Berisha.

Albert Nasto, kryetari i shoqatës së biznesit të vogël dhe të mesëm, u shpreh se po kalojnë një krizë të madhe dhe se gjatë qeverisjes së Edi Ramës janë mbyllur shumë prej tyre.

“Besojmë do lidhim një kontratë të re, që t’i kundërvihemi situatës ekonomike kaq të rëndë për ne sidomos, se kur mbyllet një subjekt, ku është investuar, nuk ka gjë më të keqe. Unë do jem për protesta, nuk mban më kjo situatë se këta po vendosin çdo ditë ligje”, tha Nasto.

“Jemi në një krizë, në kufirin e mbijetesës, gjendja është e vështirë. Gjatë 9 viteve të qeverisjes së Ramës janë mbyllur shumë biznese, shifër alarmante dhe kambanën e të cilës duhet ta dëgjojnë ata që na qeverisin, por dhe ne me njeri-tjetrin.

Aksionet e 2015 mbyllën shumë subjekte si pasojë e reprezaljeve të qeverisë Rama. Janë disa gjëra që nuk kanë favorizuar biznesin e mesëm dhe të vogël, por vijon edhe sot të mos favorizojë plani i hartuar nga oligarkët, të cilët kanë një plan për të shkatërruar biznesin…

Duhet të reagojmë kur na cenohen liritë ekonomike tona, kjo qeveri ka tre ligje gati, ligji i fiskalizimit hyri, një ligj që nuk është në asnjë vend të botës, dhe do mbyllë me  mijëra biznese, është ligji i qeseve që është i pa konsultuar me grupet e biznesit… një këshillë kam dhe për opozitën, që nuk lajmërojnë grupet e interesit. Po opozita pse nuk po reagon?”, shtoi ai.

Ish-ministër në kohen e qeverisë “Berisha” Florion Mima u ndal me së shumti tek gabimet e së djathtës në drejtim të biznesit.

Sipas tij, keqardhja e parë me PD është se kur ka qenë në qeveri, por dhe në opozitë, nuk bëri mjaftueshëm për sistemin fiskal.

“Sistemi i PD për taksimin ka qenë goxha më i thjeshtë, më komod dhe më produktiv, por të arrijë kryeministri i  sotëm ta çmontojë brenda natës me një firmë tregon që sistemi nuk ka qenë i çimentuar mirë”.

Më tej ai tha se keqardhja e dytë lidhet me periudhën kur PD është në opozitë, kohë gjatë të cilës nuk e mbrojti aq sa duhet biznesin për  sistemin e fiskalizimit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë