Njerez

“As me Kanun as me ligj. Ma nxinë jetën…” I moshuari prej 18 vjetësh nuk gjen zgjidhje për rrugë dhe ujë

Nga Gazeta “Si”- “S’kam rrugë të shkoj në shtëpi. Më kanë prerë ujin”… Me një dosje të madhe në krahë, Nikoll Dodaj, 64 vjeç, baba i tre fëmijëve, udhëtoi nga Perlati Qendër i Mirditës drejt Tiranës me shpresën se dikush do ta ndihmojë që t’i hapin rrugën dhe t’i mundësojnë lëshimin e ujit. Për këtë gjë janë shprehur prej vitit 2004 gjykata të shumta që i japin të drejtë të moshuarit dhe urdhërojnë hapjen e rrugës, por askush nuk e zbaton.

“Nuk punoj dot tokën, nuk e shfrytëzoj dot tokën e babës tim, ose më mirë tokën time se baba ka vdekur. Janë paralel, pozicioni i ujit është paralel me tokën dhe nuk vadis dot tokën time. Ma kanë prerë ujin dhe nuk zbatohen vendimet e gjykatave”, thotë ai.

Nikoll Dodaj

I moshuari jeton në Perlat Qendër. Dy fëmijë i ka jashtë vendit, ndërsa njëri prej tyre zbriti në Rrëshen.

“Fëmijët e mi nuk kanë marrë tokë dhe për mua është hajni, poshtërsi. Unë që rri te shtëpia ime i bie rrotull e rrotull. Ndërkohë që rruga ekzistuese e shtëpisë sime është kalldrëm dhe kanë vënë gardh tek xhadeja kryesore”, thotë ai.

I moshuari e nisi luftën për tokën e “babës” në vitin 1993.

“Thjesht vunë gardh dhe thanë ‘është prona ime’. Shtëpia ekzistuese e familjes së Kol Mark Picakut ku jetojnë sot ka qenë posta e Perlatit në kohë të Zogut dhe aty është varrosur daja i babait tim i pushkatuar në 1946. Në dokumentat e ‘47-s thuhet se është pronë e Mark Carës, daja im. Pra kjo vërteton që edhe sikur Mark Cara të mos jetë daja i babit tim, vërteton se ky person, pra fqinjët aktualë, nuk kanë tokë aty. Ata janë me gjendje civile në fshatin Vallishtë”, shpjegon për Gazetasi.al i moshuari.

Duke u përpjekur që të shmangë konfliktet, Nikolla thotë se besoi në shtet dhe ndoqi si fillim rrugën e kanunit duke u kërkuar fqinjëve që të bënin be (të betoheshin).

“Edhe kanunin e kam zbatuar. Në bazë të kanunit është caktuar kryeplaku për me ndjek benë sipas rregullave. Pra ti, për të vërtetuar që kjo tokë është e jotja, duhesh të bësh be me 6  persona. Po ata ngelën në be se njerëzit e shtëpisë së tij nuk pranuan të bëjnë be që toka ishte e tija. Në vitin 2000 erdhën të gjithë me procesverbal por ai ka ngel në be se nuk bëri be”, thotë ai.

Dhe kur pas ngeljes në be fqinji duhet të hapte ujin dhe rrugën, kjo gjë nuk ndodhi. Atëherë Nikolla kujton se vazhdoi me gjykatat që as ato ende nuk zbatohen ndonëse edhe gjykata e lartë u shpreh në favor të të moshuarit.

“As me kanun as me ligj. Më kanë shkatërruar jetën”, thekson për Gazetasi.al Nikolla teksa zgjat shkresat me shkrim dore ku pranohet bërja e besë sipas kanunit. Sakaq, në vendimet gjyqësore që ju vendosën në dispozicion Gazetasi.al përmendet ekspertiza që vërteton se paditësi nuk ka asnjë mundësi për të kaluar vijën e ujit përveçse në kanalin që ka hapur vetë paditësi me shpenzimet e tij. Por, sipas gjykatës, kanali kryesor dhe kjo vijë uji kalon në tokën e të paditurit L. Picaku. Në gjykim u provua se nga kryepleqësia e fshatit Perlat dhe komuna Kthellë u është kërkuar të paditurve që ti lejojnë paditësit të marrin ujin, por ata nuk kanë pranuar. Gjykata ka urdhëruar që i moshuari të paguajë për kalimin dhe për kanalin e vaditjes, që Doda përmend se i ka paguar por më pas askush nuk është paraqitur ta mbështesë.

“Dega e brendshme thotë shko në prokurori, shko tek krimi ekonomik, i kam njoftuar si bashkinë ashtu dhe përmbarimin. Por ata ja lënë punën tjetrit. Kryeministri e di, të gjithë e dinë por nuk bëjnë asgjë. Skam ku të shkoj më. As kanun, as ligj nuk ka në Shqipëri. Tek unë jo njëherë”, shprehet i moshuari për Gazetasi.al.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë