Fatjon Rupi – Përtej gafës së Berat Gjimshitit, që kushtëzoi ndeshjen në Islandë, ai barazim lë pas jo pak dyshime. Zgjedhjet e trajnerit Reja, për shembull, janë një prej temave kryesore të diskutimit. Asllani e nis nga stoli, Bajrami nuk luan asnjë minutë…
Shqipëria dominoi në pjesën e parë, por ishte një dominim shterpë. Pa qartësi në fazën sulmuese, pa rrezikshmëri dhe rrjedhimisht pa efikasitet. Edhe goli ynë më shumë erdhi më shumë për faj të portierit kundërshtar.
Në bilancin përfundimtar të ndeshjes nuk ka si të mos evidentohet mungesa e Nedim Bajramit në fushë. Ai nuk kishte asnjë dëmtim, por Reja nuk i dha asnjë minutë. Nëse italiani ka vendosur të aktivizojë me Izraelin, përsëri nuk mjafton si justifikim.

Bajrami mund t’i bënte punë Kombëtares në Reikiavik. Qoftë edhe disa minuta. Me aftësitë individuale që ka, lojtari i Empolit do të ndihmonte duke filtruar topa për sulmuesit tanë, apo edhe për të goditur vetë portën.
Pikërisht për këto cilësi Bajrami kërkohet edhe klubet e mëdha italiane. Edhe ne e kemi kërkuar kaq shumë këtë lojtar, fantazistin e munguar që nga koha e Ervin Skelës. E quajtëm fitore të madhe, kur FSHF fitoi gjyqin në FIFA dhe ia morëm Zvicrës.
Tani e injorojmë kaq lehtë. Shqipëria u pa qartë se nuk mund t’i thyente islandezët me krose. Reja pranoi pas ndeshjes se kundërshtari po fitonte të gjitha dyluftimet ajrore… Atëherë?
Atëherë lind nevoja për lojtarët që luajnë në korridore të ngushtë. Lojtarët me teknikë, që ‘shpikin’ diçka nga hiçi. Lojtarë si Nedim Bajrami, atë që e kërkuam aq shumë dhe që nuk po e shfrytëzojmë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




